Këshilli Bashkiak, diskutohen 5 projektvendime

01/03/2012 00:00

Pasditen e sotme do të mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës, i cili
pritet të marrë në shqyrtim 5 projektvendime të propozuara nga kryetari i
bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Një prej projektvendimeve më të rëndësishme është kalimi në varësi të bashkisë, i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar të bashkisë, thuhet se kryebashkiaku do t’i propozojë Këshillit Bashkiak, marrjen në pronësi të aksioneve të Ujësjellës – Kanalizimeve sh.a, Tiranë. Një tjetër projektvendim që nuk do të kalojë pa debate, është diskutimi i projektvendimit “Për shpërndarjen në programe dhe zëra buxhetorë të fondit të papërdorur të vitit 2011”.

Fondi i trashëguar nga viti 2011, do të alokohet 56% për investime dhe 37% për shpenzime korente, në programet kryesore të zhvillimit të qytetit, ndërsa 7% e këtij fondi do të jetë transfertë për Njësitë Bashkiake
Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, do të shqyrtohet dhe propozimi i Kryetarit të Bashkisë për zmadhimin e kapitalit të Klubit të Futbollit “Tirana sh.a”.

Ky vendim parashikon dhënien e një shume prej 80 milionë lekësh Klubit të Tiranës, i cili do të përdoret për nevojat e klubit, si për përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e Akademisë, përmirësimin e kushteve të stërvitjes, rinovimin e bazës materiale e nevoja të tjera të adresuara nga drejtuesit e Klubit të Futbollit të “Tiranës”.

Një tjetër projektvendim që pritet të kalojë në Këshillin Bashkiak të Tiranës është propozimi “Për krijimin e Qendrës Sociale Shtëpia e Përbashkët”. Kjo Qendër ndodhet në territorin e Njësisë Bashkiake numër 11 në Laprakë. Në këtë Qendër do u ofrohen shërbime të ndryshme kategorive në nevojë, si informim, këshillim, asistencë ligjore, etj.

Pika e fundit e diskutimeve në Këshillin Bashkiak do të jetë propozimi i Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha për vendosjen e pllakës përkujtimore, në banesën ku ka jetuar Artisti i Popullit (“Nder i Kombit”) Kadri Roshi, konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar.

Top Channel