Teatër gjyqësor në Shqipëri

29/02/2012 15:50

Pothuajse një vit pasi Gjykata e Apelit dha arrestin shtëpiak me adresë tek Kthesa e Kamzës, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi të njëjtin verdikt me 40 ditë arrest shtëpiak për 45-vjeçarin turk Abduselam Turgut, në një kohë kur ai rezulton prej 11 muajsh i arratisur nga Shqipëria.

Gjykata e Lartë e kondsideroi të vlefshëm vendimin e Gjykatës së Apelit, vendim pas të cilit Abduselam Turkgut përfitoi për t’u larguar nga Shqipëria, ndërsa prokuroria këmbëngulte që ai të lihej në burg pa afat, për shkak se kërkohej nga autoritetet gjermane si i dyshuar për trafikun e mëse 1 ton heroinë.

Që prej muajit mars 2011, kur Gjykata e Apelit vendosi të prishte vendimin e shkallës së parë, në të cilën Abduselam Turgut kishte marrë masën e arrestit me burg për 40 dite, Gjykatës së Lartë iu deshën plot 11 muaj për të vendosur.

Shkak është bërë gjatë 5 seancave të caktuara në këtë kalendar mungesa e avokatit mbrojtës. Megjithatë i dyshuari për trafik heroine nuk ka nevojë për të tjera torlerime, pasi ka kohë që jeton lirinë e tij.

Ai u la në arrest shtëpie nga Gjyklata e Apelit në një apartament pa adresë, por thjesht të adresuar tek Kthesa e Kamzës. Arratisja e tij shkaktoi shumë zhurmë në organet e drejtësisë, por duket se jo në KLD, ku edhe pse u deklarua një inspektim për gjykatësit që vendosën arrestin e shtëpisë pa adresë, nuk pati asnjë raport përfundimtar.

Komedia e caktimit të masës së sigurisë për të arratisurin vazhdoi për plot një vit, ndërkohë që paralelisht një tjetër proçes shqyrtonte akuzën e arratisjes së tij.

Madje, si një rast unikal, trafikanti turk nga Gjykata e shkallës së parë ishte dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burg për arratisje nga vendi që i kishte caktuar, ndërsa Gjykata e Lartë, katër muaj pas këtij vendimi vendos masën e arrestit shtëpiak për 40 ditë, edhe pse ai ishte arratisur pikërisht nga arresti shtëpiak.

Top Channel