Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e kërkesës së presidentit të Republikes, Bamir Topi, i cili kërkon interpretimin përfundimtar nga kjo gjykatë për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë, për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Konflikti midis dy institucioneve lindi disa muaj më parë, kur Parlamenti miratoi vetëm 1 nga 4 kandidatët e presidentit për anëtar të kësaj gjykate.

Pas një vendimi më të hershëm të Gjykatës Kushteuese për rotacionin e anëtarëve të saj, mazhoranca parlamentare çmoi se ky institucion kishte vetëm 1 vend të lirë dhe jo katër sa ishin dekretet e presidentit.

Për këtë arsye Parlamenti i ktheu mbrapsht Presidencës tre dekrete, veprim që u interpretua nga presidenti Topi si anti-kushtetues.

Në relacionin e saj Presidenca i referohet edhe kërkesës së vetë Gjykatës Kushtetuese që në vitin 2010 ka deklaruar përfundimin e mandatit të 4 anëtarëve të saj. Çka sipas kreut të shtetit nuk është marrë parasysh nga Kuvendi i Shqipërisë.

Kreu i shtetit, duke besuar se ky veprim ishte një cënim i pushteteve, ka theksuar edhe në seancën e parë të shqyrtimit të kësaj çështjeje se ajo përbën themelin e ndarjes së pushteteve, e shtetit të së drejtës dhe garancive kushtetuese që kanë institucionet.

Top Channel