Krijohet tregu privat i energjisë

29/02/2012 08:30

Një ligj i qeverisë që synonte të shpëtonte KESH nga barra financiare e furnizimit me energji të industrisë së rëndë pritet të krijojë këto ditë një treg privat të energjisë elektrike me përmasa që mund të arrijnë në 820 GWh në muaj, (rreth 13 për qind e konsumit kombëtar).

Siç raportoi e përditshmja “Shqip” në numrin e së mërkurës, me çmimin aktual të importit prej rreth 60-70 euro për MWh, qarkullimi vjetor i këtij tregu do të jetë minimalisht 50-60 milionë euro në vit, por shenjat e para tregojnë se çmimi i shitjes nga privatët për konsumatorët e mëdhenj do të jenë edhe më të larta se kaq.

Në Shqipëri ka disa kompani private që kryejnë tregti me energjinë elektrike duke e blerë atë përgjithësisht në Serbi dhe duke e ofruar për industrinë në Shqipëri.

Ndryshimi

Dhjetorin e kaluar, Korporata Elektro-Energjetike Shqiptare i kërkoi qeverisë të ndryshojë ligjin dhe të heqë detyrimin për të furnizuar me energji me gjashtë impiante industriale.

Sipas korporatës, çmimi i vendosur nga ERE për furnizimin e industrisë qe tepër i ulët dhe i shkaktonte humbje prej 50 milionë eurosh në vit. Qeveria e miratoi me shpejtësi ligjin, gjë që i zuri kompanitë industriale në befasi.

Disa prej tyre ndërprenë prodhimin ndërsa disa arritën të blejnë energji nga një kompani private. Kriza pritet të zgjidhet më 1 mars, pasi kompanitë e tjera janë duke lidhur kontrata me tregtarët privatë të energjisë.

Nuk është ende e qartë, por burime nga kompanitë industriale thanë për “Shqip” se energjia e ofruar nga privatët është dy tri herë më e shtrenjtë se sa ajo që blihej më herët nga KESH.

Disa ekspertë thonë se një zgjidhje më e logjikshme do të qe që KESH të ofronte furnizim të këtyre kompanive me çmim më të lartë se ai i caktuar më parë nga ERE, por deri më sot, KESH nuk është shprehur e interesuar për të fituar para në këtë treg.

Tregu privat

Shqipëria lejoi tregtinë private të energjisë elektrike që në vitin 2007, duke miratuar ligjin dhe duke licencuar disa kompani private vendëse e të huaj në aktivitetin e tregtisë.

Por, në praktikë, konsumatorët e mëdhenj vijuan të furnizohen nga KESH pasi çmimi i përcaktuar nga ERE për furnizimin në tension të lartë (konsumator me shumicë) qe vetëm 6-7 lekë për kWh.

Ky qe çmim dukshëm më i lirë se sa çmimi i energjisë së importuar, e cila gjatë kësaj periudhe varioi nga 5 në 8 cent të euros për kWh. Kjo nuk nënkupton drejpërsëdrejti se çmimi i energjisë për industrinë qe i subvencionuar.

KESH prodhon një pjesë të energjisë në kaskadën e Drinit, ku kostoja është më pak se 1 lek për kWh, por një pjesë të energjisë e importon me çmim disa herë më të lartë.

Largimi i konsumatorëve të mëdhenj nga furnizimi publik solli në praktikë vendimin për të mos e përdorur energjinë e lirë të prodhuar në vend për industrinë e rëndë, por për ta ofruar atë vetëm për familjarët dhe biznesin e vogël e të madh.

Shqipëria prodhon mesatarisht 4.2-4.5 miliardë kWh në vit, por gjatë dekadës së fundit, prodhimi ka variuar nga 2.1 në 7.7 miliardë kËh. Kjo luhatshmëri e madhe i dedikohet pjesërisht ciklit shumëvjeçar të rreshjeve dhe pjesërisht skemës së menaxhimit të kaskadës së Drinit.

Top Channel