KESH merr 2 miliardë lekë kredi

29/02/2012 09:00

Qeveria Shqiptare ia akordoi gjysmën fondit rezervë të planifikuar për Këshillin e Ministrave Korporatës Elektro-Energjetike Shqiptare në formë kredie me interes 0.5 për qind në vit, para që do të përdoren për të financuar importet e energjisë për muajin e ardhshëm.

Vendimi i qeverisë u publikua dje në fletoren zyrtare dhe u raportua të mërkurën nga gazeta “Shqip”. Po dje, KESH njoftoi se ka nënshkruar kontratat për importin e energjisë gjatë muajit mars, përkundrejt çmimit mesatar prej 75 eurosh për MËh.

Vendimi i qeverisë erdhi pasi KESH mbeti pa para dhe pa akses në linjat e financimit në banka për shkak të kostos së lartë të importit si dhe për shkak të faktit që kreditë e saj në banka kanë arritur maksimumin e mundshëm.

Më herët, qeveria ka dhënë garanci bankare për kreditë që KESH ka marrë nga bankat, ndërsa vendimi i djeshëm bën fjalë për kreditim direkt të KESH.

Afati i kredisë është përcaktuar gjashtë muaj, gjë që do të thotë se KESH do të duhet ta shlyejë kredinë brenda këtij viti, por kjo duket disi e pamundur.

Ministria e Financave ka shtuar disa kushte për kredinë. Kushti i parë është që në rast se kredia nuk shlyhet në afat, atëhere interesi rritet nga 0.5 për qind në 7 për qind ose sa është edhe interesi i bonove të thesarit.

Në rast se KESH vijon të mos e shlyejë, Ministria e Financave rezervon të drejtën të konfiskojë të ardhurat e KESH nga shitja e energjisë elektrike.

Qeveria ka planifikuar fonde të përgjithshme rezervë në masën 4.7 miliardë lekë dhe një pjesë të tyre e ka përdorur për emergjencën e krijuar nga rreshjet e mëdha të dëborës dhe i ftohti.

Top Channel