Fullani: Nuk do ketë reçesion

29/02/2012 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani thotë se Shqipëria nuk rrezikohet nga reçesioni, pasi prodhimi kombëtar do të vazhdojë të rritet edhe gjatë këtij viti.

“Parashikimet për ecurinë e ekonomisë mbështesin lehtësimin për një rritje pozitive, por më të ngadaltë të ekonomisë”, ka deklaruar Fullani.

I rezervuar me numrat, zoti Fullani beson se pasojat negative që vijnë nga ngadalësimi i pritshëm i eksporteve dhe tkurrja e shpenzimeve të qeverisë mund të kompensohen në një tjetër rrugë.

“Shpejtësia dhe ritmi i rritjes së aktivitetit ekonomik në vend do përcaktohet në masë të madhe nga rritja e komponentëve të kërkesës së brendshme private të konsumit dhe investimeve. Kjo rritje do të mbështetet nga kushtet dhe politikat monetare të BSH”, ka nënvizuar Fullani.

Banka e Shqipërisë e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në 4.5 për qind. Guvernatori thotë se ky nivel garanton çmime të qendrueshme në tregje, por edhe stimuj për rritje ekonomike.

Optimizmi i zotit Fullani vjen pavarësisht se vlerësimet e fundit tregojnë se ekonomia shqiptare ndodhet në tatëpjetë, pasi shifrat e para zyrtare sugjerojnë se viti 2012 ka nisur i zymtë.

Nga ana tjetër janë ekspertët të cilët thonë se norma bazë e interesit nuk funksionon plotësisht në kohë të vështira ekonomike.

Top Channel