PS: Dështimi i 3-të me statusin

28/02/2012 00:00

Sipas opozitës Shqipëria është në prag të një dështimi të tretë në marrjen e statusit të vëndit kandidat. Rreziku i këtij dështimi është paralajmëruar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, dedikuar çështjeve të integrimit.

Fillimisht Ditmir Bushati, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, i ka bërë një rezyme se ku ndodhet procesi realizimit të 12 prioriteteve të BE-së.

“Deri më sot është në gjykimin tonë i realizuar vetëm gjysma e prioritetit që ka të bëjë me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ndërkohë që vazhdon i njëjti qendrim refraktar përsa i përket mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ka një qendrim shumë të qartë të Komisionit Europian që i është bërë me dije qeverisë shqiptare dhe Komisionit për Integrimin Europian për mënyrën se si nuk duhet të zgjidhen më anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë, pra për të shmangur procesin e politizimit që është vënë re në parlament”, tha deputeti Ditmir Bushati.

Kreu opozitës Edi Rama, ka vlerësuar përparimin e Serbisë drejt marrjes së vëndit kandidat duke theksuar se ky zhvillim, nxjerr në pah prapambetjen e Shqipërisë në në këtë proces historik, duke paralajmëruar një dështim të tretë në marrjen e statusit.

“Ajo çka nuk kurrë s’duhet të kishte ndodhur, po ndodh! Shqipëria jo vetëm parakalohet nga Serbia në një proces ku objektivisht gjendej shumë më përpara disa vite më parë, por rrezikon të mbetet përsëri jashtë duke dështuar si askush tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve të dala nga shpërbërja e perandorisë komuniste, për të tretën herë radhazi dhe për të tretën herë radhazi kryeministri po mundohet të fshehë dështimin e tij shembullor duke ngritur mjegullën e fajësimit të opozitës”, deklaroi kreu PS-se, Edi Rama.

Shefi opozitës shqiptare theksoi se nuk është e mjaftueshme që këto procese të ecin përpara vetëm me ligje të miratuara në parlament.

“E kemi thënë që në krye të herës se statusi i kandidatit nuk merret vetëm duke miratuar e ligjet me 3/5-at, dhe ja ku jemi në miratimin të pjesës më të madhe të tyre, falë angazhimit të plotë të opozitës parlamentare, sepse integrimi s’ështe vetëm miratim ligjesh, por edhe implementim ligjesh, shtet ligjor, drejtësi e barabartë për të gjithë, luftë reale kundër krimit dhe korrupsionit, shoqëri e lire me transparencë, konkurencë dhe meritokraci. Fatkeqësisht nuk ka mjaftuar dot për një notë më të mirë për Shqipërinë as angazhimi ynë total për përfundimin në afat të reformës zgjedhore, ashtu sikundër parashihte dakordësia e nëntorit në praninë e partnerëve europianë teksa afati tanimë është shkelur dhe reforma është në hapat e para për shkak të zvarritjes së qëllimshme nga ana tjetër”, shtoi Rama. 

Top Channel