Vjedhja në emër të invalidëve

27/02/2012 00:00

Komisioni i çështjeve sociale ka miratuar vetëm me votat e deputetëve demokratë projektligjin për disa ndryshime në ligjiin për statusin e invalidëve dhe të verbërve, ku  tashmë masa e përfitmit për personat me aftësi të kufizuara të sanksionohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Duke iu referuar akuzave të përfaqësuesve të personave me aftësi të kufizuar për fryrje artificiale të listave të përfituesve, vetë titullarët e shërbimit social dhe Ministrisë së Punës pranuan se ka abuzime në shuma të mëdha.

“Ka rezultuar se ne i kemi miliona lek borxh CEZ-it. Këto lista po hartohen me emra e mbiemra nga persona përgjegjës, që zotërojnë librezën dhe abuzojnë”, ka deklaruar përfaqësuesja Denada Seferi.

Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, ndonëse konfirmon që ka abuzime nga kompanitë e transportit, kërkon miratimin e këtij projektligji.

“Ta kalojmë siç është, nen për nen, këtë ndryshim dhe t’i japim vëmendjen e duhur hartimit të një ligji integral që të na shërbejë të gjithëve. Unë e di nivelin e abuzimit që bëhet nga transportuesit dhe CEZ-i”, deklaroi Kosta Barka, deputet i PBDNJ.

Por deputetët socialistë kërkuan që të paraqiten në komision përfaqësues të CEZ-it dhe të bëhet ballafaqimi me listat, për të mësuar se kush i fryn ato dhe ku shkojnë paratë që i vidhen shtetit.

“Duhet të diskutojmë lidhur me një databazë që ata mund të kenë për individët me aftësi të kufizuar dhe të bëhen ballafaqime për të verifikuar përse nuk ka përputhje numrash. Ministria ka një listë me 140 mijë emra të personave me aftësi të kufizuara”, ka deklaruar Eglantina Gjermeni, deputete  e PS.

Opozita nuk pranoi të votonte draftin pa hetuar më parë abuzimet dhe e la sallën e komisionit.

Çështja e abuzimeve me përfitimet e të verbërve dhe paraplegjikëve shkaktoi debate të ashpra edhe në mbledhjen e javës së kaluar të komisionit parlamentar të çështjeve sociale.

Ndërsa më herët gjatë muajit, personat me aftësi të kufizuara i bënë apel kryeministrit Berisha që të ndërhynte për të zgjidhur ngërçin e krijuar mes tyre dhe Ministrisë së Punës, që sipas tyre po diskriminon këtë kategori personash

Top Channel