Reforma zgjedhore, Berisha në kërkim të një alibie

27/02/2012 00:00

Andrea Stefani – Që Sali Berisha është politikan i llojit të autokratëve që tentojnë të zgjatin pushtetin me anë të manipulimit të zgjedhjeve, është provuar hershëm, që në vitin 1996.

Kur në vitin 2005 Berisha u rikthye në pushtet, shumëkush mendoi, tha apo shpresoi se Berisha kish ndryshuar. Por në zgjedhjet e vitit 2009, refuzimi për të mos lejuar hapjen e kutive të votimit, nuk ishte gjë tjetër veçse këmbëngulja për të mos lejuar demaskimin e mekanizmit të vjedhjes dhe manipulimit të votës. Mekanizëm që hyri në veprim më brutalisht dhe me arrogancë më publike gjatë procesit të numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në vitin 2011. Tashmë Berisha, koshient se nuk gëzon mbështetjen e shumicës së shqiptarëve, po vazhdon në strategjinë e konservimit të këtij mekanizmi, si arma e vetme që mund t’i sigurojë pushtetin edhe në zgjedhjet e 2013-s. Në funksion të kësaj strategjie është dhe taktika e zvarritjes së reformës zgjedhore që ai po ndjek. I vetmi problem që ka është alibia e kësaj zvarritjeje para ndërkombëtarëve. Dhe ka zgjedhur të akuzojë opozitën pikërisht për atë që e lakmon vetë: bllokimin e reformës zgjedhore.

Deri më sot Berisha ja ka dalë jo pak herë që të akuzojë kundërshtarët për ato të këqija që ka synuar dhe gatuar vetë. Toleroi për vite me radhë zhvillimin e piramidave financiare dhe kur ato u shembën, akuzoi për autorësinë e tyre opozitën. Gjatë vitit ’97 u mbajt me thonj në pushtet, duke tentuar deri edhe shtypjen ushtarake të protestave të shqiptarëve që kishin humbur paratë në piramida. Kur dështoi militarisht, ju kthye versionit paramilitar duke armatosur besnikët e vet, i vendosur ta çojë vendin edhe në luftë civile vetëm për hatër të pushtetit të tij. Në vitin ’98 organizoi një puç të armatosur mbi Kryeministri, po edhe për atë rast akuzoi Fatos Nanon, që sipas tij, “kishte vrarë Azem Hajdarin”. Edhe në janar 2011, kur Garda e Republikës vrau 4 demonstrues, përsëri akuzoi si fajtore opozitën, duke thënë se “i solli Edi Rama”. A do të mundet Berisha që, si edhe në të kaluarën, të bllokojë reformën zgjedhore (reformë që do çmontonte mekanizmin e vjedhjes së votës që e mban në pushtet) dhe për këtë të akuzojë me sukses opozitën? Këtë herë duket më e vështirë të ndodhë, por gjithsesi, Kryeministri ka nisur të ecë nëpër këtë shteg. Ky është edhe shkaku i ankesës së opozitës pak ditë më parë si dhe i takimit të Edi Ramës me trojkën e ambasadorëve. Dhe nuk përjashtohet që Berisha të bllokojë reformën, por ka pak shanse që të jetë i besueshëm në fajësimin e opozitës për bllokimin. Shanset që ai të demaskohet, këtë herë pandreqshëm, si një autokrat që lakmon manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme, janë përditë e më të mëdha.

Mjafton të dëgjosh ankesat e opozitës, për të kuptuar synimin e Berishës për bllokimin e reformës zgjedhore, që kërcënon atë mekanizëm të vjedhjes së votës të cilin ai e ka ngritur me përkushtim për vite me radhë. Disa ditë më parë, Gramoz Ruçi denoncoi në Kuvend faktin se, reforma zgjedhore ka ngecur në pesë pika, që janë rekomandime të ODIHR-it dhe jo teka të opozitës, sikundër i paraqet Berisha. Ruçi përmendi reformë për listat e zgjedhësve, për kartat e identitetit, për procedurën e numërimit të votave, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjin Zgjedhor. Të gjitha këto çështje janë hallka të një zinxhiri të vetëm, që i reformuar, shtyn drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndërsa i pandryshuar, sikundër lakmon Berisha, çon drejt vjedhjes e manipulimit të rezultatit si në të gjitha zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri. Afërmendsh, Berishës nuk ja ka qejfi saktësimin e listës së zgjedhësve, edhe pse në zgjedhjet e kaluara u konstatuan mijëra raste falsifikimesh të këtyre listave. Pse? Sepse është pikërisht ai që ka përfituar nga këto falsifikime. Berisha nuk do që kartat e identitetit të monitorohen elektronikisht për të bërë të pamundur votimin e disafishtë. Pse? Sepse është ai që ka përfituar nga njerëz që votojnë më shumë se një herë me të njëjtën kartë. Berishës nuk ja ka fort qejfi numërimin elektronik të votave, sepse ka përfituar nga korruptimi i komisionerëve. Nuk ja ka qejfi reformimin e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor, sepse qenë këto institucione që legalizuan në favor të tij të gjitha manipulimet dhe grabitjet e votës në vitin 2005 dhe 2011, duke i paraqitur si “të ligjshme” dhe “të drejta”. Berisha refuzon reformën zgjedhore, sepse tashmë ka ndërtuar një sistem jo vetëm të ushtrisë së vjedhësve të votës, por edhe të institucioneve, të “lavatriçeve” që shpëlajnë “me ligj e drejtësi” votën e vjedhur e të manipuluar. Dhe që obstruksioni i kamufluar i Kryeministrit të mos ketë sukses, nevojitet jo vetëm presioni i opozitës, por edhe roli prej arbitri i ndërkombëtarëve. Tashmë ka ardhur koha që ky arbitër t’i japë opozitës atë që i takon dhe “Cezarit” atë që i takon. Nuk mund të vazhdohet më me fraza të përgjithshme, që i barazojnë të gjithë si në vullnetin pro reformës zgjedhore, ashtu edhe në vullnetin për antireformë. Të veprosh kështu do të thotë të krijosh rrethanën më të përshtatshme për alibinë e Berishës për të maskuar bllokimin e reformës duke fajësuar opozitën. Nëse nuk tregohet qartë me gisht se kush është bllokuesi real i reformës, atëherë ai do të arrijë ta bllokojë realisht reformën. Dhe bashkë me të, edhe demokracinë si dhe integrimin e Shqipërisë në Europë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel