Komisionit të ligjeve nuk i kanë mjaftuar edhe tre orë të tjera diskutime për të mbyllur ndryshimet në Kodin Penal.

Megjithatë, një hap i madh është bërë përpara me miratimin e rreth 15 amendamenteve, që fokusohen kryesisht te rreptësimi i dënimeve për dhunën në familje.

Këto ndryshime, shumica e të cilave ishin amendamente të deputetes socialiste Vasilika Hysi, marrin në mbrojtje penale edhe fëmijët dhe ashpërsojnë gjithashtu dënimet për prindërit apo të afërmit që u shkaktojnë fëmijëve qoftë edhe dhunë psikologjike.

Gjithashtu, është saktësuar edhe krimi i shfrytëzimit të fëmijëve për përfitime ekonomike, përfshirë këtu lypjen.

“Sigurisht që me këtë rast zonja Hysi ka korrur atë që mbolli, pasi i miratuam të gjitha propozimet”, deklaroi gjatë mbledhjes kryetari i komisionit Ilir Rusmali.

“I mbollëm bashkë dhe i korrëm bashkë”, tha pas tij Hysi. “Gjithësesi është një sukses personal”, thë sërish Rusmali.

Me konsensus deputetët kanë rënë dakord të mos heqin nga Kodi Penal prostitucionin, siç propozoi komisionerja kundër diskriminit, por tek neni përkatës u shtua që, perveç ushtrimit të prostitucionit të dënohet penalisht edhe klienti përfitues, pasi ekziston rreziku i përfitimit nga shfrytëzimi seksual i të miturve.

Gjithashtu, në Kod Penal u vendos një nen i ri, që dënon penalisht personat që përndjekin nëpërmjet mjeteve elektronike qytetarët e tjerë, duke i kanosur apo kërcënuar sigurinë e tyre personale apo familjare.

Ndryshimet në Kodin Penal do të mbyllen të martën, në rastin më të mirë, pasi të diskutohen edhe 13 amendamentet e dorëzuara në komisionin e ligjeve nga opozita.

Në një nga këto propozime, Partia Socialiste ka për qëllim të përfshijë në kod një nen të ri për përgjegjësinë penale të Këshillit të Ministrave, që sipas ligjvënësve opozitarë është lënë deri tani jashtë me justifikimin se vendimet e Këshillit të Ministrave janë akte kolegjiale.

“Ne kërkojmë që me këtë propozim penaliteti të ushtrohet ndaj personave që janë nismëtarë të vendimit të Këshillit të Ministrave”, deklaroi deputetja Ermonela Felaj.

Deri të martën grupi i punës, ku përfshihet edhe qeveria, do të punojë për të gjetur kompromisin edhe për këto amendamente të opozitës dhe nëse gjithçka shkon mirë, atëherë e marta do të shënojë miratimin përfundimtar me konsensus edhe të Kodit Penal.

Top Channel