Janari “i zi” i ekonomisë shqiptare

27/02/2012 08:50

Siç qe e pritshme nga të gjithë, muaji janar nuk solli lajme të mira për ekonominë shqiptare, raportoi të hënën gazeta shqip.

Bilanci i buxhetit të shtetit, i publikuar së fundmi, tregon se të ardhurat janë më të ulëta se sa në janarin e vitit 2011, ndërsa qeveria e uli fondin për investime publike me mbi 72 për qind.

Të ardhurat e qeverisë nga tatimi mbi Vlerën e Shtuar ranë me 3.7 për qind, ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi Fitimin ranë me 22 për qind.

Të ardhurat nga TVSH patën shënuar ecuri shumë pozitive gjatë muajve tetor-dhjetor të vitit të kaluar, ku shkaqet kryesore lidheshin me rritjen e importit të karburanteve, pasi rafineria e Ballshit ndërpreu punën.

Të ardhurat nga akcizat qenë 5.5 për qind më të ulëta. Të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale patën një rritje minimale prej 0.7 për qind. Por te të ardhurat personale, këtë janar janë futur edhe të ardhurat e krijuara nga taksa për legalizimin e kapitalit për individët në masën 3 për qind.

Fabrika të mbyllura

Disa nga fabrikat më të mëdha në vend qëlluan të mbyllura për shkaqe të ndryshme në janar. Minierat në veri qëndruan të bllokuara për mungesë transporti si pasojë e ngricave ndërsa pjesa më e madhe e kompleksit të kromit në Bulqizë ka punuar me hope tashmë që prej tetë muajsh.

Në Elbasan, uzina e çelikut u mbyll pas vendimit të qeverisë për të mos i shitur më energji nga rrjeti publik ndërsa edhe disa fabrika çimentoje kanë ndërprerë prodhimin në pritje të lidhjes së kontratave të importit të energjisë nga kompanitë private.

Vështirësitë ekonomike u shfaqën edhe te indeksi i çmimeve të konsumit, i cili, në janar qe vetëm 1.6 për qind, shifra më e ulët e regjistruar që në janarin e vitit 2009.

Kriza nga jugu

Vështirësitë ekonomike të vendit tonë po furnizohen nga kriza e borxhit kombëtar në Greqi, por një pjesë e krizës mund të jetë edhe thjeshtë nga efekti psikologjik i lumit të madh të lajmeve apokaliptike mbi rrezikun e shpërbërjes së euros apo përmbysjes së të gjithë ekonomisë së Eurozonës.

Kontrabanda bën namin

Të ardhurat nga akciza duket se janë goditur rëndë nga rritja e kontrabandës së brendshme e të huaj në mallrat e rëndësishme si cigaret dhe nafta.

Gjatë vitit të kaluar u importuan 3250 tonë cigare ose 28 për qind më pak se sa në vitin 2010. Importet e ligjshme të cigareve qenë vitin e kaluar më të ulëtat të shënuara që nga viti 2006, rënie që nuk i dedikohet dot shkaqeve të tjera si ulja e numrit të duhanpirësve.

Burimi më i madh i kontrabandës mësohet se është zona e Shkodrës, ku nga Mali i Zi po vijnë cigare me pullë malazeze apo serbe, të cilat shiten për 140 lekë paketa dhe janë aktualisht cigaret më të lira në Shqipëri.

Ndërkohë, importet e ligjshme të karburanteve qenë 457 mijë tonë gjatë vitit 2010, ose 5.6 për qind më të ulëta në krahasim me vitin 2010. Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar u hapën procedime penale për sasi të konsiderueshme nafte bruto që deklaroheshin të eksportuara, por që në fakt shiteshin në vend kontrabandë, duke shmangur pagesën e taksave si dhe duke shkatërruar makinat e shqiptarëve.

Shqipëria duket se po përjeton sot të njëjtën situatë si në vitet 2003-2005, kur numri i biznesmenëve të lidhur me qeverinë dhe që rrjedhimisht nuk kontrollohen e nuk ndëshkohen nga taksidarët, është rritur aq shumë sa prek ecurinë e të ardhurave të buxhetit të shtetit.

Buxheti në ajër

Ndërsa për janarin, të ardhurat e buxhetit qenë 5.5 për qind më të ulëta se sa një vit më parë, qeveria shpreson që të ardhurat totale për këtë vit të jenë 10 për qind më të larta se sa në vitin 2011.

Diferenca mes planit dhe faktit, në rast se ekonomia nuk përmirësohet shpejt, mund të arrijë në gjysëm miliardi dollarë. Por edhe në rast se ekonomia përmirësohet në gjysmën e dytë të vitit, sërish qeveria do të ketë një deficit në raport me planin në rendin e 200-300 milionë dollarëve.

Shkurtimi i shpenzimeve po bëhet gjithnjë e më i vështirë për shkak se fondi i investimeve me burime të brendshme është shumë i vogël.

Top Channel