Grabitjet në Tiranë nuk ndalen

27/02/2012 20:00

Një tjetër person është grabitur në mes të ditës në Tiranë. Në automjetin e tij u grabitën katër milionë lekë nën kërcënimin e armës, ndërkohë që autorët ende nuk janë gjetur nga policia.

Kjo është një ngjarje e zakontë në kryeqytet. Shpesh qytetarët janë të detyruar të japin të hollat e tyre nën kërcënimin e armëve.

Vetëm në Tiranë vitin e kaluar u regjistruan 140 vjedhje me dhunë dhe me armë, ndërsa vjedhjet ku nuk u kërcënua jeta e të dëmtuarit i kaluan 1.000 të tilla. Më shumë se gjysma ishte vjedhje banesash.

Në 15 shkurt të këtij viti, prokurori i Tiranës, Sokol Malaj, gjatë një analize të krimit në kryeqytet evidentoi se vjedhjet dhe grabitjet në Tiranë janë alarmante.

Por Malaj e kishte bërë të njëjtin apel edhe një vit më parë në 2011 dhe sërish gjendja ka qenë e njëjtë. “Edhe këtë vit sulmet ndaj pronës kanë njohur rritje. Janë rritur vjedhjet e kryera në ambjentet publike”, deklaroi atëherë Malaj.

Por vjedhjet kanë qenë një shqetësim që edhe vetë policia në analizën e këtij viti e pranoi që ishte e pamundur që ta ndalte. Vetëm 20 për qind evidentim i këtyre rasteve është statistika më negative e pranuar edhe nga vetë uniformat blu.

Grabitje të tilla po kthejnë edhe një fenomen të rëndë për shoqërinë, atë të vetëgjyqësisë. Tre vrasje brenda muajit shkurt, nga personat e dëmtuar kundrejt vjedhësve, është zile alarmi për strukturat e policisë.

Besimi i publikut dhe arrestimi i grabitësve ka kohë që janë në luftë me njëra-tjetrën, ndërsa tregtarët apo rojet tyre janë duke i vrarë vetë hajdutët.

Top Channel