Berisha: Reformat i bllokon Rama

27/02/2012 00:00

Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryeministri Sali Berisha anashkaloi debatin e hapur në Partinë Demokratike pas largimit të deputetit Gazmend Oketa.

Berisha ka akuzuar kreun e opozitës Edi Rama si autor të bllokimit të reformave, duke theksuar se ai vetë bllokon proçesin dhe vetë jep alarmin.

“Reforma parlamenare është e bllokuar sepse Edi Rama vetë i bllokon dhe vetë bërtet, pasi ka dale jashtë Kushtetutës, jashtë rregullores së Parlamentit Europian, jashtë vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai bllokon reformat se ka frikë se mos marrim statusin”, ka deklaruar Berisha.

Më pas, kryeministri i është referuar një thënieje të shkrimtari shqiptar Faik Konica. “Thënia e Konicës ‘Zot, ruaje Shqipërinë nga shqiptarët’, nuk e ka patur fjalën për popullin, por nga këta individë. Ultimatumet nuk i ecin dhe ky është një mësim që Edi Rama duhet ta mësojë”, ka thënë Berisha.

Kryeministri ka theksuar se Rama është i vetmi politikan në Ballkan dhe Europë që bllokon reformat e integrimit të vendit, që kërkon kapital politik mbi bllokimin dhe fatkeqësitë natyrore. Por kjo, sipas tij, është çështje mes tij dhe elektoratit.

“Janë fatlumë shqiptarët që ai është i papeshë përsa i përket rrogave dhe pensioneve, reformave ekonomike, investimet e huaja, kur Shqipëria vitin e kaluar ishte i vetmi vend ku u rritën invetimet”, ka shtuar Berisha.

Rama: Berishës i dhimbset mekanizmi i vjedhjes

Deklaratat e kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së kanë sjelle reagimin e kreut të opozitës, Edi Rama.

Në rrjetin social Twitter, kreu i PS ngre pyetjen: “Kryeministrit i dhimbsen komisionerët?”

“Jo, i dhimbset mekanizmi i vjedhjes së zgjedhjeve që ka në themel korruptimin e komisionerëve. E di gjithë bota”, vijon përgjigjia.

“Kryeministri sulmon PS-në sepse s’ka çfarë të tregojë për papunësinë e korrupsionin deri në thonj. Zgjedhjet e ardhshme do jenë nisja për një Rilindje Shqiptare”, thekson Rama.

Ardhjen në pushtet të socialistëve, Rama e shikon si vendosje të barazisë para ligjit. “Do ta bëjmë shtetin të drejtë me të gjithë. Shqipëria e meriton këtë pas 100 vjetësh pavarësi”, shprehet Rama. 

Më herët gjatë muajit Rama denoncoi dështimin e reformës zgjedhore, me pretendimin se mazhoranca nuk po pranonte të miratonte pikat e parashtruara nga ODIHR-i. Nga ana e saj, Partia Demokratike u shfaq e surprizuar nga akuzat e kryetarit socialist.

Përfaqësues të saj u shprehën se përplasjet për reformën zgjedhore
po shpiken nga Rama, pasi deri tani komisioni i përbashkët për reformën
ka miratuar 4 kapituj, ku janë trajtuar 20 rekomandime të ODIHR-it.

 

Top Channel