Shoqata kombëtare e degës së autoshkollave do të nisë nga e hëna e kësaj jave një protestë duke bllokuar të gjitha marrëdhëniet me Drejtorinë Rajonale të Transportit.

Ata do të ndrëpresin rregjistrimin e kandidatëve për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit, si dhe do të bllokojnë provimin në teori dhe praktikë të marrjes së patentave.

Arsyen drejtuesit e shoqatës e argumentojnë me akuza për korrupsion ndaj kësaj drejtorie, si edhe me mos përmirësimin e legjislacionit sipas premtimeve të bëra nga Ministria e Transportit.

“Na u premtua se do të ndryshohen udhëzimet që rregullojnë aktivitetin e autoshkollave, jo vetëm që nuk u zbatua kjo, por në Tiranë mund të them se u kthye një patentë një votë. Autoshkollat janë në prag falimentimi. Në Tiranë ka autoshkolla të korruptuara të lidhura drejtpërsëdrejti me Minstrinë e Transportit ose me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit  të Transportit Rrugor”, tha Tonin Gjinaj, Kryetar i Shoqatës së Autoshkollave, Dega Tiranë.  

Kjo shoqatë gjithashtu shpreh dhe indinjatën që në përmisimin e Kodit Rrugor nuk u dëgjua edhe ky grup interesi, në një kohë që në morinë e madhe të aksidenteve që përfshin cdo vit Shqipërinë, përgatitja më e mirë e kursanteve, duhet të ishte pjesë e ndryshimeve në ligj.

“Ndryshimi u bë vetëm për të futur duart e pista në xhepat e  qytetarëve shqiptarë dhe nuk bënë asgjë për të përmirësuar rregulloren”, tha Tonin Gjinaj, Kryetar i Shoqatës së Autoshkollave, Dega Tiranë.

Top Channel