61 vjet nga “bomba në ambasadë”

26/02/2012 19:55

19 shkurt 1951. Një sasi e vogël dinamiti shpërtheu në oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë. Një akt i padobishëm, sipas historianit Uran Butka, që vetëm sa shtoi terrorin komunist.

Një ditë pas shpërthimit, në mbledhjen e Byrosë Politike, Mehmet Shehu kërkoi arrestimin e 150 vetëve dhe pushkatimin e 10-15 prej tyre, pa mbajtur parasysh as vetë ligjet në fuqi të diktaturës.

Një ditë më pas, ata që u pushkatuan pa gjyq, ishin 22 intelektualë. I vetmi që nuk firmosi pushkatimin e tyre, ishte ministri i drejtësisë, Manol Konomi.

Pas viteve 90, 22 të pushkatuarit e ambasadës sovjetike janë përkujtuar disa herë: Presidenti i Republikës ka mbledhur të afërmit e viktimave, kurse kryetarja e Kuvendit ka ngritur parlamentin në këmbë, për një minutë heshtje.

61 vjet pas kësaj ngjarje, Jozefina Topalli vazhdon të mendojë se ka vend për reflektim:

“Në 100 vjetorin e pavarësisë, që unë e shoh si një përvjetor të reflektimit të madh të shoqërsië shqiptare për gjithë historinë tonë, kjo merr një vlerë refektimi edhe më të madh. Unë besoj se edhe në ditët e ardhshme e kemi për detyrë të përkujtojmë këtë krim makabër që shqiptari e bëri kundër shqiptarëve. Kjo duhet të jetë një kujtesë për çdo shqiptar. Unë gjej rastin të them, që të gjithë ata që janë pjesë e trashëgimisë së kësaj dhune të kërkojnë të falur, të gjithë ne duhet të kërkojmë të falur, vetëm atëhreë do të jetë më i lëhtë përkujtimi i kësaj dite”, tha Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.  

Top Channel