Bledar Kurti – Ngritja e një aleance si AK ngre dy çështje të cilat për shkak të ndjeshmërisë që kanë, nuk konsumohen shpesh. E para është nacionalizmi dhe politika dhe e dyta qasja ndaj sloganit “Sa krenar me qenë shqiptar”.

Së pari, unë si nënshtetas shqiptar u ofendova kur pashë drejtuesin e kësaj lëvizjeje në emisionin “Top Story”, të shfrynte vrer dhe urrejtje ndaj kombësive të ndryshme, të cilat, në fakt, përsëriten shpesh në spektaklet politiko-nacionaliste të z. Spahiu.

Deklaratat e bëra në emisionin e drejtuar nga gazetari i njohur Sokol Balla, ishin antiqeveritare, antiopozitare, antipolitike, antigreke, antiserbe, antiruse, antiarabe etj. Duke ofenduar këdo që ka votuar për “sulltanët” e PD dhe PS, këdo që ka jetuar, punuar, studiuar në Greqinë dhe Serbinë “uzurpuese”, dhe në Rusinë “bolshevike”.

Kryetari i kësaj lëvizje, e cila është ngritur praktikisht për të ulur z. Spahiu në Parlament, dhe ideologjikisht pa asnjë qëndrim të qartë politik, por për të grumbulluar urrejtjen ndaj grekëve dhe serbëve, cenon integritetin e çdo shqiptari apo shqiptareje që mund të jetë martuar me një nënshtetas/e grek/e apo serb/e.

Ofendon fëmijët e emigrantëve shqiptarë që janë lindur në këto vende dhe gëzojnë nënshtetësinë. Cenon çdo shqiptar që është i krishterë, mysliman, apo tjetër, që beson tek toleranca, falja, mirësia, dashuria dhe jo urrejtja për njerëz dhe kombe të tjera.

Me ç’të drejtë kjo aleancë apo ky njeri i dikton shqiptarëve se duhet të urrejnë Athinën, Beogradin, Moskën etj., ndërkohë që ne i mësojmë fëmijët tanë të jenë tolerantë dhe jo paragjykues dhe të vlerësojnë të mirën dhe të drejtën pavarësisht se cilit komb apo ngjyrë i përkasin?! Z. Spahiu le të denoncojë fenomenin dhe jo të vendosë fatet midis popujve.

Në një vend demokratik është qeveria ajo që bën politikat e jashtme. Vendi ynë ka një ministri, e cila merret me punët e jashtme të Republikës së Shqipërisë. Ky institucion ka autorizimin të ngrejë apo të ulë zërin përpara fqinjëve. Nëse shteti nuk e bën detyrën, atëherë shqiptarët të mos e votojnë më.

Gjithashtu, opozita ka strukturat e saj për çështjet e punëve të jashtme, të cilat bashkë me shoqërinë civile, organizimet qytetare, intelektualët, studentët etj., janë të afta të sjellin çështje të caktuara kombëtare, përpara të gjithë opinionit publik.

Për më tepër, Shqipëria e Madhe e AK i tejkalon kompetencat e saj morale, politike, nacionaliste dhe organizative. Sado romantike duket ideja e Shqipërisë së Madhe, nëse do ishim të sinqertë me veten, nuk është bërë asnjë sondazh zyrtar që tregon dëshirën e theksuar të shqiptarëve për një bashkim të tillë.

Në fakt, jo vetëm që kjo do ishte përtej vullnetit të cilësdo qeverie, për shkak të kompleksitetit të saj, por do ishte një vendim që merret vetëm me referendum, e analizuar dhe përpunuar mirë me të gjitha shtetet e tjera të botës, sidomos SHBA, BE dhe madje vendet fqinje si Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Mal i Zi, të cilat preken drejtpërdrejtë.

Për më tepër, në një moment kur Kosova mbetet akoma për t’u njohur nga shumë shtete të Europës dhe botës, deklarata të tilla, të një juristi që nuk mundi të linte emër në drejtësi, por që tani e sheh veten si Skënderbeu, tregon papjekuri politike dhe shërben më shumë në dëm sesa në të mirë të vendit.

AK hyn në kategorinë e grupimeve apo partive nacionaliste, pavarësisht se nuk i intereson ta pranojë këtë fakt. Në politikën botërore, këto lloj partish kanë sukses vetëm në vende të botës së tretë, vende të dala nga lufta dhe me mentalitet shoqëror të prapambetur.

Në botën perëndimore dhe të zhvilluar, partitë nacionaliste marrin mbështetjen më të vogël të zgjedhësve pasi ato promovojnë regres dhe jo progres, izolim dhe jo integrim, krenari dhe jo ekonomi, flamur dhe jo kulturë, racizëm dhe jo tolerancë. Sigurisht, AK nuk është shprehur për tema të tilla pasi do dështonte pa filluar, ndaj e fokuson debatin e saj politik në sentimentin antigrek, antiserb dhe antipolitikanë shqiptarë.

Kjo aleancë “anti-sh”, nuk ka asnjë “pro”. Nëse ajo shprehet pro-Europës bie në kundërshtim me natyrën e saj, pasi AK promovon kufijtë ndërkohë që Europa i ka hequr me kohë; AK promovon një komb, ndërkohë që Europa promovon shumëllojshmëri kulturash, racash, gjuhësh, vlerash dhe identitetesh; AK denoncon Greqinë dhe Serbinë, ndërsa Europa kërkon t’i ndihmojë dhe t’i ketë pjesë të saj; AK promovon urrejtjen, ndërsa Europa tolerancën. Partitë nacionaliste, në përgjithësi, janë antiemigrantëve, ndaj si mund të adaptohet ajo me një vend ku gjysma e popullatës ka provuar emigrimin! Pra, sa europiane na është AK?

Secili prej nesh duhet të jetë krenar që është shqiptar. Por, politika ekstreme nacionaliste na mban peng të së shkuarës dhe së vjetrës. Bota po ecën me hapa të shpejta dhe ka kapërcyer jo vetëm kufijtë gjeografikë, por edhe kufijtë e kulturave dhe koncepteve.

Për shembull, në një botë kur gjer në shekullin e 20 femrat nuk lejoheshin as të votonin, tani janë disa femra, si Angela Merkel, që drejtojnë fatet e Europës, FMN dhe disa shteteve të botës. Në një SHBA që ka persekutuar afro-amerikanët për 350 vjet, presidenti është afro-amerikan. Në një Europë të bardhë dhe të krishterë ka një përzierje racash dhe fesh.

Kjo është bota moderne dhe transformimi i një shoqërie. Ndërsa ne (më saktë AK) merremi me kufij dhe mësojmë fëmijët tanë, sesi të urrejnë grekët dhe serbët, duke u marrë me provincializma në vend që t’i mësojmë vlerat universale të së mirës dhe së keqes, të së drejtës dhe së gabuarës, të gjërave që ndërtojnë dhe atyre që shkatërrojnë.

Nderi dhe krenaria e një kombi nuk maten me urrejtjen ndaj kombeve të tjera, por me vlerat që përmban dhe promovon një popull. Ne duhet të pushojmë së krahasuari veten me fqinjët, pasi tregon arkaizmin tonë, por të krijojmë strategjinë e ngritjes së kapaciteteve kombëtare dhe promovimin e vlerave shqiptare. Kjo duhet bërë në të gjitha aspektet, si: ekonomi, shkencë, politikë, akademi, turizëm, letërsi, art, sport, muzikë, etj.

Në një botë globaliste ku të gjitha vendet e botës garojnë me produktet që prodhojnë, në vend që të merremi me slogane urrejtjeje duhet të vihemi në kërkim të produktit “Made in Albania”. Nëse arrijmë të hyjmë në tregtinë globale me produktin tonë kjo do ishte një promovim i vendit dhe kombit.

Gjithashtu, duhet kontribuar në fushën e shkencës dhe akademisë, që figura të shquara ta nderojnë emrin shqiptar me dije dhe jo me thirrje kundër kombeve të tjera. E njëjta gjë duhet bërë me sportistët. Duhet krijuar mbështetje për sportistët dhe atletët tanë që të mos veshin më fanella të huaja dhe garojnë nën flamuj të huaj, por të nderojnë Shqipërinë.

Nuk kanë faj as Greqia dhe as Serbia që plazhet tona janë të mbushura me plehra dhe në detet tona derdhen ujëra të zeza. Nuk kanë faj këto vende që në vend që t’i ngremë monument në çdo qytet të Shqipërisë, shkrimtarit tonë më të madh modern, Ismail Kadare, ne e përdhosim figurën e tij në gazeta dhe televizione.

Madje, as për të, dhe as për këdo figurë tjetër të madhe të kombit nuk ka mbetur më ndonjë vend bosh për të ngritur monumente, pasi i kemi betonuar qytetet tona gjer në palcë, duke betonuar kështu edhe vetë historinë tonë.

Të jesh krenar për atdheun tënd është një ndjenjë që shkon përtej dashurisë për vendin e lindjes dhe vendin ku je rritur. Atdheu nuk është kufiri gjeografik por njerëzit. Në mënyrë që të krenohemi përpara botës, duhet të ndërtojmë një shoqëri ku Veriu dhe Jugu të mos përçmojnë njëri-tjetrin, ku socialistë dhe demokratë nuk rrihen dhe vriten për partinë, ku tregtarët nuk helmojnë qytetarët me ushqime të skaduara, nuk i vjedhin në peshë dhe nuk i varfërojnë në çmim.

Një shoqëri ku profesorët nuk u marrin para studentëve, ku mësuesit nuk u kërkojnë para fëmijëve, ku drejtorët nuk përjashtojnë njerëz nga puna prej bindjeve partiake, ku shteti zgjidh çështjen e pronave që shqiptarët të mos vrasin më njëri-tjetrin për një pëllëmbë tokë, e gjëra të tjera si këto, për të cilat nuk na e kanë fajin as Athina dhe as Beogradi.

Marrë nga gazeta “Shqip”

Top Channel