Largimi i deputetit demokrat Gazmend Oketa nga grupi parlamentar i mazhorancës zë vendin kryesor të lajmeve të ditës.

Edhe pse një deklaratë e tillë, e bërë në emisionin “Tonight” të Ilva Tares nuk ishte surprizë, konfirmimi për largimin nga grupi demokrat i zotit Oketa është një lajm i rëndësishëm. Së pari, sepse, kur mbetet më pak se një vit e gjysmë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kryeministrit Berisha i duhet t’i bëjë llogaritë me të paktën, një deputet më pak, që në elektorat përkthehet në disa vota më pak.

Së dyti, lajmi i largimit të Gazmend Oketës nga grupi parlamentar i PD, është një sinjal me tepër drejt asaj që përflitet për krijimin së shpejti të një partie të re politike, e quajtur si partia e presidentit Bamir Topi, i cili mesa duket mund të jetë personi që do ta drejtojë atë, pas mbarimit të mandatit në korrik të këtij viti.

Sipas zotit Oketa partia e cila ende nuk ka një emër, do të shpallet deri nga fundi i muajit mars dhe pas shpalljes do të caktohet njëri nga nismëtarët për të përfaqësuar partinë në publik.

A do të jetë ky person Gazmend Oketa? Kjo është e paqartë, por e sigurt është se ish-zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrotjes i qeverisë Berisha deri më 2009-n, do të jetë zëri parlamentar i partisë së re të presidentit Bamir Topi.  

Zoti Oketa, i cili u zgjodh deputet për herë të parë në 2005-n në Durrës, është shfaqur rreth 5 vjet më parë si mbështetës i Bamir Topit, kur bashkë me disa deputetë të tjerë demokratë kërkuan zyrtarizimin nga mazhoranca të kandidaturës së Bamir Topit për president.

Thuajse të gjithë kolegët demokratë të zotit Oketa, pjesë e këtij grupi, nuk u bënë më deputetë në 2009-n ose ishin shumë poshtë në listë.

Por historia me ligjin e shërbimeve sekrete, kur Gazmend Oketa votoi në 2010-n, kundër një amendamenti të propozuar nga mazhoranca apo historia e deklarimit prej tij si të turpshëm për votimin dy herë për rrëzimin e dekretit të presidentit për ligjin e pronave, janë episode që vulosën ftohjen me grupin parlamentar.

Ajo që vulosi pastaj gjithcka, ishin ngjarjet pas 21 janarit, kur zoti Oketa kritikoi publikisht qendrimet e kryeministrit Berisha ndaj presidentit Bamir Topi. Dhe sic thotë deputeti i Durresit largimi i tij nga grupi de facto është kryer që në tetor, kur ai nuk është pjesëmarrës në mbledhjet e grupit parlamentar për funksionimin e të cilit ai ka kritika të forta, ashtu si edhe me mungesën e demokracisë në forumet partiake.

Por megjithëse largohet nga grupi i PD, Gazmend Oketa ka deklaruar se nuk do të bashkojë votën me PS në rast mocioni mosbesimi ndaj qeverisë.

Largimi i zotit Oketa deri tani është kaluar në heshtje nga strukturat parlamentare dhe partiake të Partisë Demokratike, por heshtja nuk pritet të zgjasë, përderisa nuk është e largët dita kur partia e kryeministrit Berisha do të përballet edhe de jure me partinë e presidentit Topi.

Top Channel