Ish-Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano ka darkuar për rreth 3 orë me Ambasadorin e Shtetve të Bashkuara në Tiranë, Alexandër Arvizu në një prej restoranteve në qendër të Tiranës.

I pari ka mbërritur zoti Nano i shoqëruar nga bashkëshortja Xhoana. Ambasadori Arvizu nuk është mjaftuar vetëm me një të shtërngim duarsh me politikanin Nano, aspirant për t’u bërë president, por edhe e ka përqafuar, moment ky që është fiksuar nga kamerat në hyrje të restorantit ku Nano është parë të drekojë dhe darkojë shumë shpesh kohët e fundit.

Në përfundim, Nano, i cili e ka shfaqur dëshirën për t’u bërë president, shoqëroi ambasadorin Arvizu deri në dalje të restorantit ku ata qëndruan për pak minuta.

Top-Channel e pyeti ambasadorin Arvizu nëse ishte me vend të thuhej se ai darkoi me presidentin e ardhshëm të Shqipërisë? Por zoti Arvizu i është shmangur përgjigjes së kësaj pyetje. Edhe zoti Nano nuk bëri asnjë koment.

Takimi Nano-Arvizu u zhvillua në një moment delikat për ish-kryeministrin i cili duket se nuk do ta ketë mbështetjen e shumicës qeverisëse, ndërkohë që brenda të majtës ditët e fundit, janë shtuar zërat që përkrahin kandidaturën Nano për president.

Takimi Nano-Arvizu ishte njoftuar tre dite më parë, por vrasja e komandos shqiptar në Afganistan e shtyu për mbrëmjen e së enjtes.

Top Channel