Opozita akuzoi për korrupsion masiv qeverinë për tenderet e energjitikës, duke e konsideruar kështu si fajtore të vetme për krizën që ka pushtuar vendin.

Në interepelancë me Ministrin e Energjitikës, deputeti socialisit Erjon Braçe ka dhënë faktet qe sipas tij deshmojne se procesi i dhenies me koncesion për ndërtimin e hidrocentraleve është i korruptuar.

Ministri Naço iu përgjigj opozitës duke folur për arritjet në dhënien e koncensioneve dhe përurimin e afërt të disa investimeve të reja.

“Në 99 për qind të tenderave ka patur koncesione te pakërkuara, ku biznese të caktuara jane shperblyer me bonus nga qeveria. Ne 99 per qind te rasteve kompania qe fiton bonusin fiton dhe garen. Pra tenderat jane fiktivë”, akuzoi Braçe.

“Ju permendi që 99 për qind janë propozimet e pakërkuara. Por, sigurisht ai ishte qellimi yne. Të përfshinim privatët ne investime. Prandaj unë them Zoti Braçe që ne të dy kemi mendime të kundërta. Ajo që bëni ju është të kërcënoni me shtetëzim”, u përgjigj Naço.

“Disa prej jush që janë në këtë sallë kanë fituar deri 6-7 tendera. Pa dyshim, ata janë mbajtur në kuadrin e skemës që po shndërron Ministrat dhe familjarët e tyre në milionerët e rinj shqiptarë”, theksoi Braçe.

“Nga 320 HEC-e të dhëna me këtë procedurë, numri i ankimimeve në gjykatë numërohet me gishtat e dorës. Kjo tregon qartë për transparencën në procedurat e ndjekura. Për të shuar kureshtjen e disa deputetëve për emrat e përfituesve të koncensioneve, mjafton të klikoni në faqen e internetit të QKR-së dhe do të merrni të gjithë informacionin e nevojshëm”, replikoi Ministri Naço.

Deputeti  socialist Braçe tha se për shkak të favorizimeve në tendera, procesi i koncesioneve dështoi përfundimisht dhe Shqipëria mbetet në krizë energjetike

“Nga 98 kontrata, 15 të tilla me 22 HEC s’kanë filluar ende punën. Në 12 raste janë shkelur të dyja afatet e vendosura nga vetë Berisha, në katër raste duhen edhe pak javë që të tejkalohen afatet. Ndërsa në dhjetë, me 11 hidrocentrale për t’u ndërtuar, janë kryer vetëm punime fillestare. Për 45 kontrata, me 154 hidrocentrale për t’u ndërtuar, nuk ka asnjë informacion se në çfarë pike janë punimet”, ilustroi situatën Braçe.

Megjithatë, për Ministrin Naço,  procesi është në rrugën e duhur. “Unë besoj se jeni në një mendje me mua kur them që kontratat që lidhen në një shtet serioz janë të shenjta për secilën palë. Unë i qëndroj këtij parimi dhe do të vazhdoj t’i qëndroj. Vetë kam filluar procedurat për të prishur 12 kontrata që vetë më janë dukur fiktive, por kjo nuk e errëson punën në ndërtimin e këtyre veprave madhore dhe ju ftoj që shumë shpejt të vini në përurimet që do të realizojmë”.

Dhënia me koncesion e burimeve ujore nisi në vitin 2006 dhe qeveria e shpallli atë si një nga nismat e saj kryesore me përfitime të mëdha për ekonominë kombëtare. Por kur kanë kaluar 6 vjet,  numri i veprave të ndërtuara është i papërfillshëm pasi shumica e projeketeve janë zvarritur.

Top Channel