Farmacistja, burri pagoi vrasësin

22/02/2012 12:15

Farmacistja Eleni Basho dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj. Policia deklaron se ka prova të mjaftueshme që e implikojnë Ilia Bashon si organizatorin e vrasjes së saj.

Por sipas burimeve policore, 38-vjeçari nuk ka treguar deri më tani se cili ishte ekzkutori i krimit. Gjatë një konference për shtyp drejtori i policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj bëri të ditur se, ndalimi i bashkëshortit të gruas së vrarë u bë bazuar edhe në urdhërin e Prokurorisë së Tiranës, pas grumbullimit të provave dhe fakteve, që vërtetojnë implikimin e tij si organizator i vrasjes.

Ilia Basho, gjatë marrjes në pyetje nuk e ka pranuar krimin, duke shfrytëzuar alibinë e tij që kishte natën e vrasjes, pasi gjendej në një tjetër zonë larg nga vendi i ngjarjes.

Por në bazë të përgjimeve dhe gjurmimit të tij pas kryerjes së krimit, rezulton që ai të jetë organizator i krimit të rëndë. Policia nuk jep motive për arsyen e këtij krimi, por deklaron se ka ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes me dashje në bashkpunim.

“Ndalimi i këtij shtetasi u bë bazuar në urdhërin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 21 shkurt 2012, pas grumbullimit të provave dhe fakteve, të cilat vërtetojnë implikimin e këtij shtetasi, si organizator i vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim ndaj Eleni Bashos”, deklaroi drejtori Çaushaj.

Policia nuk dha detaje të hollësishme për provat e krimit, por burime të saj saktësojnë se, ka dëshmi që rëndojnë ndaj tij, si edhe përgjime. Gjithashtu, rezulton se nga lëvizja e parave që janë konfirmuar nga hetimet, Basho ka paguar dikë tjetër për krimin, por ende nuk ka një identikit se kush mund të jetë vrasësi me pagesë.


Eleni Basho u vra në fillim të këtij muaji
në afërsi të shtëpisë së saj në Shkozë të Tiranës. Ajo u ekzekutua nga vrasës profesionistë të cilët përdorën një armë të prodhimit serb.

Drejtori Çaushaj, kreu i ri i policisë së Tiranës, në konferencën e parë të tij për shtyp premtoi se do të ulë numrin e vjedhjeve në kryeqytet. “Ka gati 10 ditë që ky plan masash është në zbatim dhe po të shihni komunikatat ditore kemi një rënie të këtyre veprave”, deklaroi më tej Çaushaj.

Top Channel