Tiranë, sekuestrohet 1 kg heroinë

21/02/2012 10:15

Një operacion anti-drogë është zhvilluar mbrëmjen e së hënës nga policia e Tiranës, që ka çuar në sekuestrimin e një sasie minimale lënde narkotike.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave gjatë operacionit të koduar me emrin “Rrugicat” është sekuestruar 1 kg heroinë dhe janë arrestuar dy persona.

Sipas burimeve, personat e arrestuar janë shtetasit Fation Kurti dhe Entel Hyka, përkatësisht 24 dhe 26 vjeç. Ata u ndaluan nga uniformat blu në rrugën “Nikolla Lena” të kryeqytetit.

Sarandë, arrestohen 7 persona për trafik droge

Ndër operacionet e fundit anti-drogë të kryer në vend ka qenë ai i shtatë personave në qytetin jugor të Sarandës dy ditë më parë.

Në pranga ranë Aleks, Andrea dhe Gjergji Nanaj, Maridon Dhuli, Besnik e Afrim Kasaj dhe Petrit Halimi. Ndërsa në kërkim u shpallur 19-vjeçari Sobiel Dhuli, nga Delvina. Andrea Nanajt iu gjetën në banesë 253 kg marijuanë që ishte transportuan me kuaj nga Lazarati.

Sipas policisë, droga ishte transportuar përmes malit Sopot deri në fshatin Kopaçe të Delvinës dhe kishte destinacion Greqinë.

Nga hetimet rezultoi se Aleks Nanaj rekrutonte njerëz me pagesë për transportin dhe paguante 50 mijë lekë personin që transportonte marijuanën.

Durrës, sekuestrohet drogë në port

Ndërsa 5 ditë më parë dy të rinj u arrestuan në flagrancë nga shërbimet e policisë së kufirit në Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tyre u gjetën të fshehura mbi 36 kg hashash.

Sasia e bimës narkotike ishte fshehur në gomat e një automjeti fuoristradë i tipit “Honda” me targë “AA 108 AY”, që do të udhëtonte drejt Italisë.

Drejtoria e policisë rajonale të kufirit dhe migracionit në Durrës njoftoi arrestimin e shtetasve Julian Përduka, 22 vjeç nga Lezha dhe Fisnik Hyseni, 20 vjeç nga Fieri.

Dy të rinjtë ndodheshin në mjetin ku u gjet droga. Burime portuale bënë të ditur se prania e dy të rinjve nga zona të ndryshme të vendit shtoi dyshimet për një kontroll më të imët të automjetit, që rezultoi pozitiv.

Ndërkohë, të martën e kaluar një sasi prej një ton lënde narkotike e të njëjtit lloj e nisur nga Shqipëria u konfiskua nga roja bregdetare greke, në afërsi të plazhit të Patrës, ku u arrestuan 4 persona.

Top Channel