Delijorgji: Faji i Patrick Henry

20/02/2012 00:00

Ka ardhur radha e të fundmit të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, bashkëadministratorit të shoqërisë “Albademil”, Mihal Delijorgji, i cili u mbrojt në gjykatë me një material voluminoz ku referoheshin dhjetëra dokumente, që nga krijimi i “Albademil” e deri tek kontratat mes saj dhe kompanisë amerikane “SAC”.

Është Patrick Henry, i cili jo vetëm me dokumente por edhe i pranishëm në Ministrinë e Mbrojtjes, ka kërkuar të kryejë çmontim dhe çmilitarizm muncionesh, theksoi avokati mbrojtës i Delijorgjit, Gëzim Veleshnja.

Patrick Henry ka mbatjtur marrëdhënie zyrtare me administratën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturat e saj gjatë këtij aktiviteti dhe aludimi i prokurorisë se Delijorgji ka ndërhyrë në marrje vendimesh bie në kundërshtim me dokumentet e administruara në gjykim.

Referuar dokumentave – shtoi avokati i Mihal Delijorgjit – shtetasi amerikan Patrick Henry, ortaku i vetëm i kompanisë “SAC”, krijoi një shoqëri të së drejtës shqiptare me emrin “Albademil”, e cila do të administrohej nga dy administratorë me detyra dhe përgjegjësi të ndara.

Konkretisht, Patrick Henry do të mbulonte fushën e çmilitarizimit deri tek transporti, ndërsa Delijorgji vetëm anën e financimit. Sipas kontratës së nënshkruar në vijim, rezulton nga dokumentet se Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet strukturave vartëse, mori përsipër vendin e demontimit, transportin e municioneve dhe llojin e tyre, si dhe sigurinë e proçesit të demontimit, ndërsa “SAC”, nëpërmjet “Albademil”, do të përgatiste kantierin, do të organizonte punën dhe rekrutimin e punonjësve.

Duke kërkuar pushimin e çështjes penale në drejtim të Delijorgjit, avokati mbojtës argumentoi se akuzat e prokurorisë janë të pabaza dhe tendencioze.

Prokuroria, tha avokati, duhet të merrte në kondiseratë një shkresë të firmosur nga zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kulicaj, ku thuhet se 30 minuta para se të ndodhte shpërthimi, në dhomën ku flinte Rod Taylor, përfaqësues i shoqërisë “SAC”, ai ka instaluar një kamera në drejtim të fabrikës dhe ka filluar të filmojë.

Duke këmbëngulur se shpërthimi në Gërdec nuk ndodhi nga pakujdesia e punëtorëve, por për shkak të prapavijave politike në dëm të Shqipërisë, avokati këmbënguli se edhe ekspertiza e amerikanëve flet në mënyrë relative për shkaqet e rënies së zjarrit.

Për mënyrën se si është marrë kjo ekspertizë, avokati Gëzim Veleshnja tha se nuk janë zbatuar ligjet e shqiptare. Avokati iu referua një rasti shumë të freskët dhe që mesa duket do të kthehet në preçedent.

Pikërisht vendimit të kolegjit penal në Gjykatën e Lartë, i cili shpalli të pavlefshëm ekspertimin e amerikanit Glenn Burt në videon Meta-Prifti dhe të anglezit Ardian Philips, sepse sic tha Gjykata e Lartë, nuk e morën detyrën sipas ligjeve.

Pra, vijon avokati, edhe në rastin e Gërdecit ekspertët nuk e morën detyrën sipas ligjit shqiptar, por nuk e morën as edhe sipas ligjeve të vendit të tyre.

Top Channel