“Albpetrol”, shteti heq dorë nga çdo pasuri

20/02/2012 00:00

Qeveria ka vendosur t’i transferojë privatit që do blejë “Albpetrol” të gjitha të drejtat e posaçme që kjo shoqëri ka aktualisht si shtetërore.

“Albpetrol” dhe shoqëria e re do zëvendsojë shtetin. Në ato pjesë ku ka marrëveshje për hidro-karburantet do të ketë detyrime”, ka sqaruar deputeti demokrat në komisionin e ekonomisë, Eno Bozdo.

“Albpetrol”, që dikur ka patur monopolin për nxjerrjen dhe prodhimin e naftës në Shqipëri, ka nënshkruar 7 marrëveshje hidrokarbure me tre shoqëri të huaja.

Sipas marrëveshjeve, të gjitha shoqëritë e huaja, që kanë marrë puse me koncesion nga “Albetrol”, pasi mbulojnë kostot e investimit detyrohen ta ndajnë prodhimin në mënyrë të barabartë me shtetin.

Por pas privatizimit këtë pjesë të prodhimin nuk do ta marrë më shteti, por shoqëria private që do blejë “Albpetrol”.

“Dhe me këtë ne realizojmë dy gjëra: e para nuk prekim kontratat aktuale, por mbi të gjitha i japim vlerë proçesit të privatizimit. Shteti shqiptar padyshim që fiton dhe ky operacion që i delegohet “Albpetrol” përmirësohet në çmim”, ka saktësuar Bozdo.

Deri më sot “Albpetrol” ka patur taksa preferenciale pasi ishte kompani e vetë shtetit. Përmes ligjit të ndryshuar, qeveria ka vendosur t’i rrisë ato duke i barazuar me taksat që paguajnë shoqëritë e tjera të kërkimit dhe prodhimit të naftës.

Opozita nuk dha asnjë koment për draftin në komisionin e verpimtarive prodhuese, pasi deputetët e saj thanë se janë vënë në dijeni të ligjit vetëm pak orë më parë se të niste mbledhja e komisionit. Ata kërkuan ndërprerjen e diskutimit të ligjit, por pasi kjo kërkesë u hodh poshtë mnga mazhoranca opozita u largua.

Top Channel