Përse Rama po flirton me Nanon?

18/02/2012 00:00

Bledar Kurti –  A ka moral politika? Sigurisht që jo. Por a duhet të ketë? Pavarësisht
se do të na pëlqente të mendonim se duhet të ketë, e vërteta është se as
nuk ka dhe as nuk duhet të ketë. Përkundrazi, është imoraliteti në
politikë ai që shërben për një sukses më të madh në rrugën drejt
pushtetit.

Ne, si shoqëri shqiptare, e dimë më mirë se kushdo tjetër imoralitetin politik, pasi në këto dy dekada postkomunizëm kemi parë individë të caktuar të ndryshojnë disa parti, parti që ndryshojnë koalicione, armiq brenda partisë, që më pas bëhen miq dhe ia hedhin dikujt tjetër, kolegë politikë që nxjerrin në media sekretet e të tjerëve, dishepuj që heqin nga karrigia mësuesit, prodixhe që regjistrojnë fshehtazi sponsorët e tyre politikë, të majtë që kalojnë djathtas dhe anasjelltas etj.

Por, pavarësisht se kjo ka njëzet vjet që ndodh, kohët e fundit është shtuar imoraliteti politik dhe flirtimet me armikun e brendshëm apo të jashtëm. Për shembull, Dritan Prifti, pa mbaruar votimi, merr në telefon Berishën dhe ofrohet të bashkohet me të djathtën duke tërhequr me vete edhe Metën dhe LSI-në, por më pas mbron Berishën, përpiqet të fusë në burg dorën që e ushqeu dhe që e bëri politikan dhe ministër, pastaj shan Berishën dhe para pak ditësh deklaroi se mund të bashkëpunojë me Metën.

Edhe Edi Rama, ashtu si Dritan Prifti, ka pasur një histori dashurie dhe urrejtjeje të çuditshme me ish-eprorët e tij, me Metën dhe sidomos me Nanon. Në fillim i thurte lavde Nanos, i cili, tashmë dihet publikisht, e vendosi Ramën në krye të sofrës, duke i ofruar mundësi karriere që nuk i janë ofruar askujt tjetër, pastaj bashkëpunon me Metën për të luftuar Nanon, përjashton Nanon dhe lufton Metën, dhe kohët e fundit herë flirton me Metën dhe herë me Nanon, njërit duke i ofruar një bashkëqeverisje për hir të së majtës, ndërsa tjetrit për ta bërë president.

Pra, a ka moral politika?

Siç e përmendëm, sigurisht që jo. Politika është arti i të qeverisurit, dhe për atë që aspiron të qeverisë është përdorimi i të gjitha mënyrave dhe metodave për të arritur në karrigen e pushtetit. Ky pragmatizëm ka bërë që Rama të nisë flirtimet me kreun historik të PS-së, ish-sponsorin e tij politik, atë që e quajti xhaketë e vjetër, politikë e vjetër, dhe simboli i PS-së përpara 2005-s, për të cilën as Rama dhe as figura të tjera të importuara nga ai në PS nuk komentojnë dhe nuk i bëjnë referime, qoftë për mirë apo për keq, duke bërë një ndarje konceptuale midis dy epokave brenda kësaj partie – midis politikës së re dhe asaj të vjetër.

U deshën vite që kreu i PS-së ta kuptojë se ndryshe nga artet e bukura, ku individualizmi është meritë, në artin e politikës, vetizolimi është dështim. Rama e ka kuptuar që ka mbetur pa shokë dhe bashkëpunëtorë, ndaj ka kohë që i luan syrin Metës dhe Nanos. Ai e ka kuptuar që në krah i nevojiten figura shtetarësh, politikanësh me peshë si Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi, Ilir Meta dhe Fatos Nano, ndaj të cilëve shpenzoi energji dhe kohë për t’u divorcuar publikisht. Kasta e re e importuar nga bashkia, bashkë me grupin tjetër të importuar nga “Mjaft” dhe G99, nuk kanë prezencën politike dhe as grindin e shtetarëve apo drejtuesve që pëlqehet nga shoqëria shqiptare.

Politika shqiptare kërkon eksperiencë dhe jo eksperiment, qëndrueshmëri dhe jo prova, prezencë burrërore dhe e folur shqip dhe jo ekspozim gardërobe apo teatër fjalësh, gurë të rëndë dhe jo flluska sapuni.

Pasi flirtoi disa herë me Metën pas publikimit të librit të tij Kurban, Rama e kuptoi se nuk kishte çfarë t’i ofronte kreut të LSI-së, pasi ai ka më shumë se çfarë mund t’i ofrojë një koalicion PS-LSI, dhe se Meta sot është në pozita më të forta sesa Rama, ndaj me t’u krijuar mundësia, me zgjedhjen e presidentit, ai nisi afrimin te Nano.

Afrimi ndaj Nanos është një lëvizje tejet pragmatiste e Ramës, e cila nëse do të ishte bërë gjatë vitit 2009, ndoshta zgjedhjet do të kishin marrë drejtim tjetër. Me mbështetjen ndaj Nanos, Rama shuan gjakrat brenda partisë së tij, risjell nanoistët e shumtë që janë potencial sabotues, përdor popullaritetin e tij për të fituar vota, e përdor atë për të bashkuar të majtën, dhe mendon se Nano president nuk do të konsiderohej një humbje e rëndë e opozitës në zgjedhjen e presidentit, dhe se, mund të bashkëpunojë më mirë dhe ndoshta komplotojë më mirë me Nanon kundër Berishës, sesa me Jozefinën, e cila pritet të jetë kandidatja kryesore për kreun e shtetit.

Por çfarë ndodhi me politikën e re të Ramës? Ku shkoi e gjithë ajo retorikë shumëvjeçare që bombardonte njerëzit nga televizionet dhe gazetat, dhe së fundmi nga “Twitter”?

E çfarë rëndësie ka! Dikush mund të thotë se janë thjesht politike dhe nuk duhen vënë re, sepse gjëja më e rëndësishme në politikë është vota dhe si rrjedhojë pushteti. Mjetet justifikojnë qëllimin – fundja, a nuk është ky titulli i telenovelës politike njëzetvjeçare shqiptare?!

Gazeta “Shqip”

Top Channel