Emergjencat, 11 fluturime në zonat e bllokuara

18/02/2012 00:00

Njësia e transportit mjekësor me helikopter ka përmbyllur të premten 11 misione në zonat e bllokuara nga bora, duke dërguar pranë spitaleve rajonale, 5 paciente, mes të cilave dhe tre gra shtatzëna.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, 2 gra shtatzëna nga Selita e Dibrës u transferuan drejt spitalit të Dibrës pasi kishin shfaqur probleme me shtatzëninë e tyre, ndërsa një grua shtatzënë nga Hasi është dërguar me urgjencë në Spitalin e Kukësit.

Po gjatë ditës së premte, kanë kërkuar ndihmë mjekësore 2 të sëmura, njëra në Vilëz-Zallbastar në Tiranë e cila u dërgua me urgjencë me helikopter drejt QSUT-së dhe një tjetër paciente në fshatin Tpla, komuna Tropojë e Vjetër cila është transportuar me helikopter drejt spitalit të Tropojës.

Njësia e helikopterëve të shëndetësisë ka vijuar gjithashtu dhe furnizimin me medikamente në komunën e Valbonës, në Dragobi, në Pac dhe Geghysen të Tropojës. Gjithashtu një tjetër mision i kësaj njësie ka qenë transportimi i një pacienti nga spitali i Korcës drejt qendrës së traumës në Spitalin Ushtarak të Tiranës si dhe 2 misione në komunën Theth e Shosh të Shkodrës, ku janë dërguar medikamente me anë të personelit mjekësor.

Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë thanë se misionet e njësisë së helikopterëve të shëndetësisë do të vijojnë edhe gjatë ditës së dielë, jo vetëm për t’u ofruar banorëve ndihmën e shpejtë mjekësore, por dhe për të dërguar medikamente në zonat e bllokuara si pasojë e reshjeve të borës.

Top Channel