Konkursi për Avokatin e Popullit?

17/02/2012 00:00

Mustafa Nano – Eksperimenti i zgjedhjes të Avokatit të Popullit, me sa duket, ka funksionuar. Dhe me eksperiment kam parasysh konkursin e organizuar nga socialistët,
me anë të të cilit ata përcollën, ndoshta pa e pasur si synim, një
mesazh shumë të rëndësishëm: drejtimi i vendit dhe i institucioneve
është një gjë shumë serioze për t’ua besuar aparatçikëve fanatikë të
partisë, apo rrëqebullave që rrinë pas bythës së shefit të partisë, apo
të mazhorancës.

Unë nuk di saktësisht se pse dhe se si u organizua ai konkurs dhe më në fund se si u arrit deri tek shpallja e fituesit. Por unë njoh produktin dhe kur them produktin nuk kam parasysh punët e mëdha të Totozanit, të cilat nuk kanë ardhur ende e ndoshta nuk kanë për të ardhur kurrë. Jo, kam parasysh diçka tjetër, që më bën të injoroj të gjitha hamendësimet mbi një konkurs të trukuar e të pilotuar, fituesi i të cilit ishte caktuar qysh në krye të herës prej Edi Ramës. T’i injoroj, jo si gjëra të pavërteta (këtë nuk e di), por si gjëra pa rëndësi.

E vërteta është se i gjithë konkursi – është e kotë që të maskohet kjo gjë – është zhvilluar si një “gjë socialistësh”; e nuk mund të ndodhte ndryshe në rrethanat tona. Ai u shpall pra nga socialistët, ai u propagandua si një risi prej tyre, juria u zgjodh prej tyre, në juri kish dhe eksponentë të PS-së, pjesëmarrësit e regjistruar në garë ishin ekspertë apo intelektualë “të opozitës”, e të gjitha këto krijojnë një sfond të dominuar nga socialistët. E në këto kushte, nuk është çudi që preferencat e njërit socialist të rëndësishëm apo tjetrit të kenë shkuar në vesh të jurisë, e të kenë ushtruar një lloj ndikimi mbi këtë të fundit (e them këtë, jo sepse di ndonjë gjë, por sepse dua të luaj me rastin më të keq). E komprometon kjo konkursin? Ndoshta. Por risia amá mbeti risí, pasi nuk lejoi që posti i Avokatit të Popullit të mbetej “nomenklaturë e nomenklaturës” partiake.

Mos vallë po e nënvizoj ca si tepër peshën e këtij precedenti? Nuk më duket. Shikoni se ç’lajm më panë sytë në gazetën “Shqip” të para ca ditëve: “Më datën 29 shkurt, në një nga hotelet më luksoze të kryeqytetit do të organizohet një mbrëmje në nder të romëve. Iniciatorë të kësaj mbrëmjeje janë Avokati i Popullit, Igli Totozani, dhe kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha…. Avokati i Popullit, Igli Totozani, zhvilloi javën e kaluar një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Të dyja palët u angazhuan për një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm në të ardhmen lidhur me trajtimin e ankesave të qytetarëve të Tiranës për çështje jetike”.

Kjo që ka ndodhur mund t’i duket shumëkujt si një gjest i kollajtë, e pa domethënie, por mua më duket ndryshe. Po pyes: Ky Avokat i Popullit që shkon të takojë pa asnjë problem Lulzim Bashën dhe të bëjë veprimtari të përbashkëta me të, është beniamini dhe i zgjedhuri i Edi Ramës? Konkursi pra ka qenë krejt fiktiv dhe juria s’ka bërë gjë tjetër, veçse ka vulosur parapëlqimin e Ramës? Epo mirë atëherë, do ish mirë që të gjithë krerët e institucioneve t’i zgjidhte Edi Rama, pasi vetëm kështu nuk do të ketë më konflikt midis institucionesh; përkundrazi, do të ketë veç bashkëpunim mes tyre. Dhe kjo del qartë nga fakti, që “Totozani i Ramës” shkon të takojë (e të bashkëpunojë me) uzurpatorin e kolltukut të kryebashkiakut. Ka provë më të mirë se sa kjo?

Siç shihet, kundërshtarëve të Ramës nuk u leverdis të marrin për të vërtetë këtë version, i cili e nxjerr të parin e socialistëve në një dritë shumë pozitive, e nxjerr si një njeri që ndoshta nuk e lë komandën t’i ikë duarsh, por e përdor këtë komandë si një babaxhan i mirë dhe i virtytshëm. Prandaj, do ishte më mirë për ta që ta kufizonin meritën e Ramës aty ku është, d.m.th vetëm tek organizimi i konkursit dhe është ky konkurs pastaj që punon për hesap të vet e për të mirën publike, është ky konkurs që, edhe i mbyllur në botën socialiste (siç ishte konkursi në fjalë), i jep fituesit një mundësi të mirë për të qëndruar larg rangjeve e presioneve të partisë e për të pasur një gjykim të pavarur (theksoj: një mundësi, të cilën dikush e shtie në punë e dikush tjetër jo). Dhe Totozani e ka shtënë në punë këtë mundësi, në radhë të parë duke demonstruar një sjellje institucionale që ngrihet mbi, apo që i injoron krejt, emocionet, hesapet, tërbimin, mëritë e marazet e palës që “e zgjodhi” në atë post. Takimi me Bashën është provë e këtij fakti. E nëse Totozani po bashkëpunon me Bashën, kjo do të thotë se ai nuk punon mes kushtëzimesh, të cilat e ndotin me interesa e presione partiake botën institucionale e nuk i lënë institucionet të bëhen funksionale.

Ju ftoj pak të bëni një krahasim mes Avokatit të Popullit të zgjedhur me konkurs dhe krerëve të institucioneve të zgjedhur me teknikën e shpërblimit të militantizmit, klientelizmit e tarafit. Merrini me radhë këta të fundit dhe me ndonjë përjashtim që përforcon rregullin, te secili do shihni e gjeni njeriun që vërtitet mes një mijë e një kushtëzimesh të natyrës politike e tarafore (po lëmë mënjanë mediokritetin); për t’mos folur pastaj për krerët e institucioneve e strukturave që janë zgjedhur nga vetë mazhoranca, të cilët, pa asnjë përjashtim, janë njësoj me gardistët që vranë njerëz të pafajshëm më 21 janar.

Të kuptohemi, në këtë mes nuk po jap konsiderata për Igli Totozanin, për të cilin nuk e kam ende idenë nëse është, apo jo, njeriu i duhur në atë zyrë. Ndonjë sinjal të mirë e ka përcjellë, por është shumë shpejt për të bërë vlerësime “të forta”. Dhe nuk më intereson kjo gjë. Edhe sikur Igli Totozani të mos shkëlqejë në punën që ka marrë përsipër, rasti i tij ka tanimë forcën e një precedenti. Është më së pari metoda (konkursi) që vlen edhe sikur produkti (Totozani) të mos vlejë. E nëse duam të ndalemi te produkti, personalisht do t’i hiqja kapelen Totozanit pikërisht për faktin që ai e ka valorizuar ca më shumë metodën. Qoftë dhe me kaq pak sa ka bërë: duke shprehur gatishmërinë për të punuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili është hala në sytë e socialistëve; ky është një gjest i vogël që na sillet si një leksion i madh (nëse zbresim në terrenin e gjërave konkrete, personalisht çmoj aksionin e tij në mbrojtje të romëve, me të cilin shkundi disi shoqërinë shqiptare dhe për të cilin është përqeshur e ironizuar nga shumë vetë të intoksikuar këtyre anëve me racizëm të vrazhdë).

Precedenti pra ka funksionuar. Duhet përsëritur e duhet shndërruar në praktikë. Mund të mos jetë edukative për Berishën e të tijtë (më duket e vështirë që këta të fundit të heqin dorë nga praktikat e tyre), por do të jetë në të mirë të punës në institucione; dhe ç’është më e rëndësishmja, do t’i bëjë ca njerëz të mendojnë se në këtë vendin tonë bëhet hair edhe pa iu qurravitur partive e pushtetit. Prandaj konkursi në fjalë ishte edhe një leksion meritokratik.

Gazeta “Shqip”

Top Channel