Urrejtja e Kryeministrit për kritikën

16/02/2012 00:00

Andrea Stefani – Kryeministri Berisha u dëgjua përsëri të mallkojë me një gjuhë të spikatur urrejtjeje liderin e opozitës, Edi Rama.

Dhe përse? Vetëm për faktin e thjeshtë se duke bërë detyrën e vet, Rama po kritikon mangësi të dukshme të qeverisjes në përballimin e situatës së vështirë të krijuar në shumë rrethe të vendit nga reshjet e shumta të dëborës. Por për një autokrat si Berisha, që kërkon vetëm duartrokitje, kritika është një sakrilegj dhe jo mision i parë i opozitës. Prandaj i vërsulet Ramës me një fjalor nekrofil, që e përndez më shumë konfliktin politikë edhe në këto ditë acari. E akuzoi Ramën se po shfrytëzon situatën e vështirë si pasojë e motit për të përfituar politikisht. Shton edhe se, kryesocialisti ka “një pasion të çmendur për të përdhosur të vdekurit”. E quan “korb”, “kallogjer”, “Kasandër të së keqes”, “paranojak enverian” apo “përdhosës të kodit të vdekjes”. Asnjë kryeministër normal nuk do të sulmonte me një intensitet të tillë sharjesh dhe fyerjesh liderin e opozitës, vetëm se ky i fundit ka guxuar të kritikojë kryeministrin dhe qeverinë për disa punë që ai dhe opozita që udhëheq, mendojnë se nuk janë bërë dhe nuk po bëhen mirë. Është një sulm që rifakton mendësinë anti-opozitare në kokën e Berishës, një mendësi që e percepton opozitën jo vetëm si të padobishme dhe të panevojshme, por edhe si armike të njerëzve. Është dikotomia komuniste e pushtetit apo qeverisë së mirë dhe opozitës se keqe, e qeverisë “popullore” dhe e opozitës “antipopullore”.

* * *

Që një opozitë mund të kritikojë pa të drejtë një qeveri, nuk është një dukuri e panjohur. Madje, është një ekses me të cilin demokracia bashkëjeton. Edhe vetë Berisha a ka praktikuar pa fund gjatë 8 viteve në opozitë. Por i papajtueshëm me demokracinë është sulmi i qeverisë mbi opozitën me sharje dhe propagandë. Sepse teprimi i kritikës opozitare ndaj qeverisë është ekses demokratik, ndërsa teprimi i qeverisë mbi opozitën është ekses diktatorial. Po si mund t’i bëjë ballë një qeveri kritikave, ndonjëherë edhe të ekzagjeruara të opozitës? Duke sharë liderin e saj, siç bën kryeministri ynë? Aspak! Sepse mjetet e qeverisë ndryshojnë nga ato të opozitës. Opozita ka fjalën, ndërsa qeveria ka veprën. Dhe nëse vepra e qeverisë nuk mund dot fjalën kritike të opozitës, kjo do të thotë se vepra e qeverisë nuk është e mjaftë. Dhe kudo ku veprat nuk mjaftojnë për të përligjur besimin që i është dhënë qeverisë nga zgjedhësit, kjo e fundit do përpiqet të vërë në përdorim fjalët për të kompensuar mangësitë e veprës së saj. Pikërisht kompensimi i mangësive të qeverisjes me fjalë, premtime dhe sharje për opozitën, është shkaku se përse shqiptarët e shohin Berishën të dalë përditë e përnatë në ekranet e televizorit. Qeveria ka detyrë të ekzekutojë vullnetin e sovranit. Dhe kur një ekzekutiv nuk është i aftë ta kryejë një mision të tillë, jo rrallë energjia e tij devijohet drejt ekzekutimit të opozitës. Sharjet dhe kërcënimet që lëshon kohë pas kohe kryeministri Berisha në drejtim të opozitarëve, janë shprehje e këtij devijimi të rrezikshëm.

* * *

Në reagimin e kryeministrit kundër liderit të opozitë ndihet qartë frustrimi i një qeverisjeje të pasuksesshme, që te kritika e opozitës shikon armikun e saj kryesor. Sepse Berisha kërkon që shqiptarët të mendojnë se të gjitha të këqijat i vijnë vetëm nga fatkeqësitë e natyrës dhe se qeveria po bën të pamundurën për t’i lehtësuar njerëzve pasojat e tyre. Por krejt në kundërshtim më këtë voluntarizëm kryeministror, kritika opozitare i tregon njerëzve se, pavarësisht reshjeve të pazakonta të dëborës, gjërat mund të përballoheshin më lehtë dhe më me pak pasoja me një qeverisje më të mirë. Për shembull, nëse qeveria do harxhonte më pak para për udhëtime e lobime të dyshimta dhe më shumë për borëpastruese, për infrastrukturën që mbron qytetet e fshatrat nga përmbytjet, për të garantuar furnizimin me energji elektrike. Situata e sotme do përballohej më mirë nëse qeverisja me politikat e punësimit do ju kish krijuar mundësi të gjitha familjeve që jetojnë në zona të thella, të kishin mjete financiare për të grumbulluar ushqim për muajt e vështirë të dimrit. Por kur qeveria nuk është e suksesshme në përmirësimin e infrastrukturave, kur shumë familje mbeten në nivel varfërie dhe jetojnë “me sot e me nesër”, atëherë edhe reshjet e dëborës, përmbytjet apo edhe e kundërta e tyre, vapa dhe thatësira, përballen si fatkeqësi me pasoja të rënda shpesh edhe për jetën dhe pronën e shtetasve. Dhe a nuk është fakt që tashmë thuajse nuk ka vit që Shqipëria të mos përballet me ndonjë fatkeqësi natyrore? Herë kemi thatësirë, mungesë uji e dritash, herë kemi përmbytje. Keq me ujë dhe keq pa ujë! Kush e ka fajin për këto katastrofa, përveç qeverisjeve miope dhe pa shikim perspektiv? Është shumë lehtë të shkarkosh përgjegjësinë te natyra apo “Zoti”, duke folur pa reshtur “për reshje apo thatësira të jashtëzakonshme”. Të qeverisësh do të thotë të parashikosh dhe të përballësh me sukses edhe të jashtëzakonshmen. Nëse qeverisja do të qe vetëm përballje e të zakonshmes, përse do të qe e nevojshme? E megjithatë, qeverisja themelohet edhe mbi përvoja të zakonshme. Të qeverisësh do të thotë të dish dhe të mos harrosh se ka edhe thatësirë apo reshje të pazakonta. Nëse e di një gjë të tillë, atëherë qeveria i lë ca para mënjanë për t’i përballur me sukses ato situata. Kur nuk e di, apo e di por e neglizhon duke ndjekur synime të tjera, bie në aventurizëm. Tamam si një prind i keq, që i bën paratë e bukës së fëmijëve “rrush e kumbulla” në bixhoz apo në mejhane. Këto kanë ndodhur me qeverinë Berisha. Shpenzimet e saj të njëanshme dhe aventureske në infrastrukturë, të paralajmëruara me kohë si të mbarsura me pasoja edhe nga institucione financiare ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, e kanë futur qeverinë në një situatë të vështirë financiare për përballimin edhe të situatave emergjente si kjo e reshjeve të dëborës. Prandaj edhe Rama e kritikon me të drejtë Berishën për këtë aventurizëm. Prandaj dhe Berisha, i tërbuar nga të vërtetat që ekspozon kritika, i turret Ramës duke e akuzuar se po luan politikisht me të vdekurit. E kush akuzon kështu? Pikërisht ai që e vërviti arkivolin e Azem Hajdarit në dyert e Kryeministrisë! Ai që vrau në Gërdec me qeverisjen e tij të korruptuar. Ai që vrau në 21 janar njerëz në emër të një pushteti gjithnjë e më çnjerëzor! Të protestosh kundër këtyre vrasjeve në mbrojtje të jetës së qytetarëve, të kërkosh largimin e kryeministrit dhe qeverisë përgjegjëse për këto vrasje, anatemohet nga Berisha si përdorim i vdekjeve nga Rama për qëllime politike. Në fakt, po ndodh e kundërta e asaj që akuzon Berisha. Nuk është Rama që po luan me vdekjen, por është Berisha që po luan me jetën e shqiptarëve.

Gazeta “Shqip”

Top Channel