Zbatimi i të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura me të, një ndër pikat kyçe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për vendin tonë përflitet prej vitesh, megjithatë gjendja vijon të mbetet kritike.

Me gjithë ekzistencën e Zyrës Shqiptare të të Drejtave të Autorit prej vitesh tanimë, sfidat në një vend si yni janë të mëdha. Drejtorja e kësaj zyre, Nikolina Gjordeni, në përfundim të projektit me vlerë 1.8 milionë euro për asistencë teknike dhe zbatimin e kapaciteteve të zyrës i financuar nga BE-ja, bën thirrje për ndërgjegjësim të të gjithë aktorëve e faktorëve.

“Ritheksohet rëndësia e formimit dhe edukimit të aktorëve të fushës që të kemi një standard si në vednet e BE-së për respektimin e pronësisë intelektuale në Shqipëri”, tha Nikolina Gjordeni, Drejtore e ZSHDA-së.

Ndërsa Ministri i Kulturës Aldo Bumçi ndalet te projekltligji, rrjedhojë e këtij projekti i cili do të mundësojë përafrim ligjor me standardet e BE-së.

“Ka një vullnet të qartë të qeverisë për të respektuar të drejtat e  autorit si në vendet e BE-së, por është po kaq e qartë që mbetet shumë për të bërë në këtë fushë”, tha ministri i Kulturës, Aldo Bumçi.

Duke e cilësuar një çështje kritike, Ambasadori i Delegacionit të BE-së në vendin tonë, Ettore Seqiu vuri theksin se progress raporti i vitit 2011-të tregoi se në këtë vend ka ende shumë nevojë për përmirësim të ligjit dhe sidomos zbatim të tij.  

“Mund të ekzistojë një paragjykim se në Shqipëri ka çështje shumë më të rëndësishme për t’u zgjidhur se sa e drejta e autorit, por më duhet të them se kjo nuk është më pak e rëndësishme. Na duhet të themi se kjo frazë është e Kadaresë, kjo poezi e Mimoza Ahmetiet, ky kompozim i Çesk Zadëse dhe kjo pikturë e Zef Shoshit. Kjo do të thotë t’ju njohësh të drejtën për ta përdorur e për të përfituar nga krijimaria e tyre por edhe respekt për punën që bëjnë jo vetëm nga këndvështrimi etik por sepse mungesa e këtij respekti e ‘vret’ kreativitetin. Ky respekt dhe kjo e drejtë janë shëndet i plotë i intelektualëve dhe shoqërisë. Këto nuk janë më pak probleme se të tjerat për shoqërinë edhe në kohë krizash ekonomike dhe ka një lidhje tepër të qartë për të mirën private dhe publike në këtë çështje diskutimi për të drejtën e autorit. Vlera, rregulla, standarde, kjo është kryefjala e të drejtës së autorit”, tha Ettore Seqiu, Ambasador i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Prej vitit 2008-të, BE-ja ka financuar në Shqipëri një projekt me vlerë 1.8 milionë euro për asistencë teknike dhe zbatimin e kapaciteteve të Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit, projekt ky që është finalizuar me hartimin e një projektligji i cili nëse do të mund të gjej terren zbatimi, është i përafërt me standardet e BE-së.

Top Channel