Emergjencat, Vasili, stimul moral infermierëve

16/02/2012 00:00

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka vlerësuar në një dalje para
mediave punën heroike dhe sakrificën, që po bëjnë bluzat e bardha e
veçanërisht infermieret në zonat e bllokuara nga bora, atje ku dhe
ndihma shëndetësore është mjaft e vështirë të jepet.

Sipas tij, pavarësisht kushteve të këqija të motit, infermieret kanë udhëtuar për disa orë duke shërbyer derë më derë në familjet që kanë pasur nevojë emergjente për ndihmë mjekësore.

Ministri Vasili ka falenderuar gjithashtu dhe punën që po bëjnë vullnetarët e Korpusit të Paqes në zonat e veriut, të cilët i janë bashkangjitur skuadrave sanitare duke ofruar ndihmë shëndetësore në çdo familje që ka nevojë.

Drejtues të lartë të Ministrise së Shëndetësisë po ndjekin nga afër në terren shpërndarjen e paketave të barnave. Ministri Vasili ka udhëtuar ditën e enjte drejt Dibrës ku ka planifikuar takime në prefekturë mbi situatën në këtë qark ndërkohë që vijojnë operacionet nga ajri të njësisë së helikopterëve të shëndetësisë për emergjencat mjekësore në zonat e bllokuara. 

Top Channel