Dëbora bllokon edhe tregtinë

16/02/2012 00:00

Moti i keq që ka bllokuar rrugët ka goditur edhe flukset e tregtisë duke penguar qarkullimin e mallrave.
Tregtarët thonë se kanë vështirësi në furnizime, si nga importi ashtu dhe brenda vendit.

“Ka prodhim nuk mund ta marrin dot. Janë bllokuar rrugët për në Korçë”, thotë një tregtar.

“Nuk vjen ai tonazh që vinte më parë. Ka ndikuar moti edhe në dogana, sidomos për Italinë e për Greqinë. Edhe në gjysmën e Italisë ka vështirësi”, thotë nje tjetër tregtar.

Vështirësitë me transportin e mallrave sipas tregtarëve kanë rritur çmimet në treg, edhe për produktet e sezonit.Tregtarët thonë se janë rritur çmimet gati dyfish për produkte si sallata, spinaqi, qepa e lakra.

Por moti i keq ka dhe një tjetër pasojë. Tregtarët e shumicës thonë se izolimi zonave të tëra, kryesisht në veri të vendit, ka pakësuar shitjet e tyre.

“Disa rrethe të Shqipërisë, kryesisht të veriut janë të mbuluara nga bora dhe nuk po vjen askush për të marrë produkte”, thonë tregtarët.
 
Bllokimi i tregtisë përvec humbjeve të mëdha financiare, godet edhe financat e qeverisë duke tkurrur të ardhurat nga taksat.  

Top Channel