Buka, tregtarët injorojnë ligjin

16/02/2012 00:00

Disa furra buke të njohura dhe tregtarë të dyqaneve dhe marketeve vazhdojnë të refuzojnë zbatimin e legjislacionit i cili i detyron ata të tregtojnë bukën me letër organike.

Nga inspektimet e kryera në mbarë vendin, inspektorët e autoritetit kombëtar të ushqimit e shohin më me shqetësim situatën në  Tiranë, atje ku është përqëndruar dhe aktiviteti më i madh i prodhuesve të bukës.

Sipas inspektores së AKU, Manjola Vraja, ndonëse janë gjobitur dhe u është pezulluar aktiviteti, shumica e furrave të bukës në kryeqytet nuk respektojnë standardet në tregtimin e bukës.

Përballë një situate të tillë, AKU ndjehet e pafuqishme ta ndjekë e vetme zbatimin e ligjit ndaj ajo u ka kërkuar konsumatorëve ta ndihmojnë në këtë proces, duke refuzuar blerjen e bukës me qese plastmasi, e cila është mjaft e dëmshme për shëndetin e tyre.

Në një tryezë me prodhuesit e bukës disa ditë më parë, specialistët e ushqimit kanë deklaruar se buka masive e cila pritet në feta dhe më pas ambalazhohet direkt në qese plastike, kontaminohet nga bakterie të ndryshme dhe humbet vlerat e saj ushqimore.

Por megjithë thirrjet e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për heqjen nga qarkullimit të  qeseve plastike dhe përdorimin e qeseve të letrës, nga vëzhgimi ynë në disa prej furrave të bukës në qendër të Tiranës, situata nuk ka ndryshuar aspak.

Pamjet tregojnë se buka jo vetëm që u ofrohet blerësve me qese plastmasi, por dhe në vitrina, ajo është e ekspozuar e ambalazhuar me qese plastmasi, duke injoruar në këtë mënyrë fare hapur ligjin dhe autoritette përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të tij.

Top Channel