Vlorë, bllokohen 108 makina pa dokumenta

15/02/2012 00:00

Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë në kuadër të planit të masave për
sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike në të gjithë territorin e
qarkut sidomos në zonat urbane, në të tre rrethet, Vlorë, Sarandë dhe
Delvinë ka marrë masa për kontrollin e vendeve dhe automjeteve që
dyshohet se përdoren nga persona të ndryshëm për të kryer veprimtari
kriminale.

Në këtë kuadër shërbimet e policisë, në varësi të situatës, të mbështetura edhe nga forcat speciale do të kryejnë kontrolle të alternuara gjatë ditës dhe natës në orare të ndryshme me qëllim kapjen e personave në kërkim, të atyre që posedojnë armë zjarri apo të ftohta pa leje si dhe për bllokimin e të gjitha automjeteve me mangësi në dokumentacion dhe me xhama të errët.

Këto kontrolle do të kryhen vetëm mbi personat, vendet dhe automjetet për të cilat ka informacione nga shërbimet e policisë se ka sende të kundërligjshme apo kryhet veprimtari kriminale, apo që janë persona në kërkim e kundërvajtje asministrative në fushën e qarkullimit rrugor.

Bëhet e ditur se vetëm gjatë këtyre 10 ditëve janë arrestuar 30 persona për vepra të ndryshme penale dhe janë kapur 10 shtetas të shpallur në kërkim kryesisht për vjedhje, me armë dhe plagosje me dashje.

Gjithashtu janë bllokuar 108 mjete me mangësi në dokumentacion, pa targa, me targa të falsifikuara, xhama të errët etj.

Top Channel