Reshjet e dëbores rifilluan sërish duke u shtrirë për pak kohë edhe në kryeqytet. Në zonat veriore dhe juglindore të vendit, reshjet e dëbores kanë rinisur me intensitet duke sjellë edhe ulje të mëtejshme të temperaturave,por edhe bllokimet e shumë zonave. 

Në Dibër, Bulqizë, Kukës dhe Elbasan reshjet janë rikthyer sërish me
intensitet, duke shtuar problemet e banorëve që janë të bllokuar.

Sipas të dhënave që vijnë nga Shtabet e Emergjencave civile në këto prefektura reshjet e borës kanë ribllokuar akset nacionale, të cilat një ditë më parë u hapën duke shfrytëzuar edhe mungesën e reshjeve.

Autoritetet e njësive vendore në Dibër e Bulqizë janë në operacione për hapjen e rugëve, ndërsa banorët e Martaneshit, Ostrenit dhe Trebishtit vazhdojnë të kërkojnë ndihmë, pasi rezervat ushqimore u kanë mbaruar dhe janë shtuar emergjencat shëndetësore. Në Dibër situata vijon të përkeqësohet, pasi kanë filluar reshjet e borës dhe temperaturat kanë rënë deri në minus 16 gradë celsius.

Pjesa më e madhe e Shqipërisë vijon të jetë nën borë, por në veri trashësia e saj vijon të sjellë probleme në qarkullim dhe si pasojë emergjenca të shumta shëndetësore. Prej 15 ditësh, të izoluara mbeten dhjetëra fshatra në veri të vendit, kryesisht në Tropojë, Has, Pukë, Kukës, Malësi e Madhe, Dibër dhe Mirditë.

Në Pukë raportohet se ka mungesë të ujit të pijshëm prej disa ditësh. Edhe në Kukës vijon e njëjta situatë, ku të gjitha komunat janë të izoluara. Ndërsa në Valbonë të Tropojës vijon mungesa e energjisë elektrike prej 5 ditësh tashmë. Në Malësinë e Madhe, gjendja në Vermosh dhe Dukagjin mbetet e njëjtë, me qindra banorë të izoluar në mes të dëborës, ku trashësia arrin dhe deri në 3 metra.

Krerët e komunave bëjnë apel për rezerva ushqimore. Në Mirditë komuna Selitë, Fan dhe fshatrat përreth janë të izoluara, ndërsa disa akse janë të kalueshme pjesërisht me zinxhirë. Mësimi është i pezulluar që prej datës 1 shkurt. Në Rrëshen temperatura minimale e regjistruar mëngjesin e së mërkurës është minus 7 grade.

Probleme ka edhe në Librazhd, ku raportohet se disa komuna nuk kanë asnjë komunikim me pjesën tjetër, pasi rrugët janë tërësisht të bllokuara nga bora.  Reshje bore dhe në qarkun e Korçës, ku ende nuk ka probleme në akset nacionale, ndërsa prej 6 ditësh është i bllokuar aksi Korçë-Dardhë. Situata më e rënduar paraqitet në komunën e Lekasit, e cila është e izoluar prej 3 javësh.

Banorët pa ushqime dhe trajtim mjekësor

Gjendja e vështirë humanitare për shkak të reshjeve të dëborës nuk është lehtësuar. Dhjetëra banorë nga zona të ndryshme të vendit lajmërojnë për mungesë ushqimesh dhe trajtim mjekësor.

Ata thonë se e kanë të pamundur të komunikojnë me zona të tjera dhe në disa raste kanë anëtarë të familjeve të tyre që po vujanë nga përkeqësimi i shëndetit.

Gjendja e rrugëve

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, në njoftimin e saj për shtyp të paradites së të mërkurës bëri publik problemet që hasen në akset nacionale dhe rurale të vendit.

Sipas kësaj ministrie Rrura nga Ura e Topojanit drejt Peshkopisë, qarkullimi kryhet me dy kalime me zinxhirë deri në Maqellarë.

Në vazhdim rruga është e bllokuar dhe detyrimisht kalohet me zinxhirë. Rruga Peshkopi-Muhur-Qafë Draj e deri në Zall-Dardhë është e hapur vetëm me një kalim me me zinxhirë, pjesa pjesa tjetër tërësisht e bllokuar.

Në Bulqizë, aksi Qafë Buall – Ura e Topojanit me një kalim me zinxhirë, ndërsa segmenti tjetër Ura e Cerenecit deri në Steblevë e bllokuar. Jo më pak probleme ka edhe në aksin Qafë Buall – Krastë, ku lëvizja e automjeteve bëhet vetëm me një kalim dhe me zinxhirë.

Në Kukës, Pukë, Has, Tropojë e Shkodër rrugët thuajse janë në të njëjtën situatë si më parë. Shumë prej tyre janë të kalueshme me zinxhirë, dhe të tjerat të pakalueshme. Rruga Kukës – Qafë Shllak është hapur qarkullimi me zinxhirë vetëm 1 km. Rr.Kukës – Krumë qarkullohet me zinxhirë, ndërsa aksi për në Draj Rec I bllokuar.

Vazhdon të jetë I bllokuar segmenti Kukës – Shishtavec e më tej për në Topojan. Në Has, qarkullimi kryhet me zinxhirë, ndërsa rrugë Bajram Curri-Kam e bllokuar. Forcat e mirëmbajtjes së rrugëve kanë bërë të mundur hapjen e aksit Bajram Curri – Fierzë, e cila mund të kalohet vetëm me zinxhirë.

Por jo pak probleme shfaqen edhe në autostradën Tiranë-Kukës. Në njoftimin për shtyp, Ministria e Punëve Publike sqaron se rruga nga Tuneli Kalimash – dogana e Morinës e kalueshme pjesërisht dhe me zinxhirë.
 
Në Mat, situata është edhe më e rënduar, sepse pothuajse rrugët rurale janë të gjithë të bllokuara, ndërsa aksi nacional është i hapur dhe lëvizja kryhet pa probleme. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Punëve Publike dhe transportit, edhe në Vlorë ka pasur probleme me qarkullimin në disa akse. Rruga Vlorë – Borsh, pikërisht në qafën e Llogorasë është e kalueshme me zinxhirë, po kështu edhe në Gjirokastër aksi Jorgucat– Qafa e Muzinës.

Bora, vështirësi qarkullimi në Qafë Krrabë

Intesiteti i autmojeteve, të cilët zgjedhin të udhëtojnë nga Tirana në Elbasan nëpërmjet Qafë-Krrabës është ulur ndjeshëm në këto ditë, kur zona është gjendur ne trysnine e reshjeve të shumta të dëbores.

Edhe pse pjeset e para te segmentit rrugor nuk paraqesin asnje veshtiresi dhe jane mese normale, automjeti mund te bllokohet ne Gracen, pak pas kilometrit 29. Sado pak reshje të deborës që bien në këtë zonë, pothuajse e bëjnë të vështirë për të qarkulluar kete segment.

Ky segment per shkak te kthesave te forta qe ka eshte i veshtire per t’u qarkulluar edhe ne kushte optimale te motit duke e krahasuar me segmente te tjera rrugore.

Forcat policore keshillojne automjetet te zgjedhin rrugen nga autostrada Tirane–Durres per shkuar ne Elbasan apo anasjalletas pavaresisht se rruga eshte e kalueshme me zinxhire.

Por nje pjese e madhe e furgonave te udhetareve zgjedhin pikerisht kete rruge kjo per mos harxhimin e karburantit duke pershkuar nje rruge me te gjate.

Nishani: Ja akset e kalueshme

Ndërkohë, në mbrëmje, ministri i Brendshëm Bujar Nishani bëri një pasqyrë të rrugëve të zhbllokuara në të cilat mund të lëvizet.

Sipas Nishanit, falë punës së strukturave të posaçme shtetërore është bërë e mundur hapja e të gjitha akseve nacionale në qarkun e Shkodrës.

“Aksi Shkodër-Pukë është i hapur dhe qarkullohet. Aksi Pukë-Fushë Arrëz është i hapur dhe qarkullohet. Gjithashtu, është hapur qendra e komunës Qafë Mali, si dhe 8 km drejt komunës Iballë, që është ndër më të vështirat dhe ku vijon puna”, ka deklaruar Nishani.

Ministri i Brendshëm ka theksuar se, është punuar gjatë gjithë ditës dhe janë hapur edhe 4 km drejt komunës Qelëz, por sasia e madhe e akullit e ka vështirsuar punën.

“Në zonën e Dukagjinit është hapur rruga deri në Prekal dhe parashikohet që deri nesër pasdite të shkohet deri në Kir. Ndërkohë, komuna Shllak po punon me mjete që ka kontraktuar me fondin e emergjencës dhe nga Komiteti i Emergjencave”, ka nënvizuar Nishani.

Ministri ka bërë gjithashtu të ditur se po punohet për lidhjen e aksit Vermosh-Guci, ndërkohë që ka shtuar se përmes helikopterëve të ushtrisë është bërë i mundur transporti i disa të sëmurëve nga fshatrat Temal dhe Bregu i Lumit në komunën Shalë.

Përsa i përket qarkut të Kukësit, ministri ka saktësuar se Rruga e Kombit është plotësisht e kalueshme dhe pa vështirësi, ndërkohë që është punuar gjithashtu në segmentin Shën Mëri-Qafë Mali, që është hapur deri në Qafë Shllak.

“Është punuar në segmentin Kukës-Domje-Bushtricë dhe është hapur deri në Gjonaj. Ndërkohë, vijon puna për hapjen e mëtejshme në drejtim të Peshkopisë, pasi është një ndër akset më të vështira dhe për këtë janë përqendruar forca dhe mjete të mëdha të ushtrisë. Gjithashtu, është punuar në segmentin që lidh Zapodin me Shishtavecin dhe Topojanin dhe është hapur rruga deri në Topojan. Segmenti Kukës-Krumë-Qafë Prush është i kalueshëm me zinxhirë, ndërsa qendrat e komunave Tërthore, Shtiqën, Bicaj, Mal zi e Kolsh janë hapur tërësisht”, ka pohuar Nishani.

Përsa i përket qarkut të Dibrës, ai ka nënvizuar se gjitha akset nacionale janë të hapura dhe të kalueshme. Zoti Nishani ka theksuar se, është punuar nga drejtoritë rajonale të rrugëve, nga kontraktorët nga forcat e ushtrisë dhe është bërë e mundur që gjatë ditës së martë të hapen akset: Peshkopi-Muhurr-Sinë-Arras, Peshkopi-Kastriot-Trajak dhe segmenti Ura Çerenecit-Kallm për në Kalanë e Dodës. 

Top Channel