Bankat ia vënë litarin në grykë qeverisë

15/02/2012 08:00

Qeveria shqiptare u përball të martën me interesa tepër të larta të bonove të thesarit në një ankand, ku oferta e bankave për para ishte e pamjaftueshme për të sjellë konkurrencë dhe qeveria u detyrua të pranojë të gjitha ofertat, pavarësisht interesit.

Gazeta ‘Shqip’ publikon se bonot e thesarit 12-mujore u emetuan përkundrejt interesit mesatar të ponderuar prej 7.21 përqindësh, rreth 21 pikë bazë më shumë se sa në ankandin paraardhës të zhvilluar më 31 janar. Qeveria emetoi 11.8 miliardë lekë bono 12-mujore nga 12 miliardë që pati planifikuar. Ministria e Financave pati më shumë fat te bonot 6-mujore, interesi mesatar i të cilave ra në 6.1 për qind nga 6.23 për qind që pati qenë në ankandin paraardhës të këtij maturiteti të zhvilluar më 10 janarin e kaluar.

Rritja e interesave të bonove të thesarit lidhet me faktin që blerësit tradicionalë të bonove kanë njoftuar pakësimin e titujve të borxhit publik në bilancet e veta. Jo zyrtarisht mësohet se këto banka kanë ndërmend të pakësojnë blerjet e titujve të borxhit shqiptar me 200 milionë euro. Pakësimi do të kryhet gradualisht, por pavarësisht kësaj, kjo tërheqje ka sjellë mungesë likuiditeti në tregun primar të bonove dhe rritje të interesave.

Banka e Shqipërisë ka ulur interesin bazë tri herë gjatë pesë muajve të fundit me qëllim që të lehtësojë qarkullimin monetar. Interesi bazë është interesi me të cilin Banka Qendrore u jep para borxh apo u pranon depozita njëditore bankave të nivelit të dytë. Për shkak se BSH është lojtari më i madh në tregun e parasë, norma e interesit e përcaktuar prej saj ndikon në interesat e depozitave, kredive si dhe titujve të borxhit publik të emetuara në lekë. Por ky ndikim nuk është ndjerë në tregun e bonove të thesarit. Interesi i bonove 12-mujore qe 7.1 për qind në janar, para se BSH të ulte interesin bazë nga 4.75 në 4.5 për qind dhe u rritën në 7.21 për qind në ankandin e fundit, në vend që të pësonin rënie në reflektim të zbutjes së politikës monetare. Ndërkohë, përveç uljes së interesit bazë nga BSH, bankat kanë aktualisht likuiditete të konsiderueshme si pasojë e rritjes së shpejtë të depozitave gjatë vitit të kaluar, gjë që shkaktoi edhe rënie të interesit mesatar të paguar për këto depozita.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, kërcënoi publikisht javën e kaluar bankat se mund t’i drejtohej publikut të gjerë për borxh duke i anashkaluar ato, në rast se nuk gjendej një mënyrë për të shmangur kushtëzimet rregullatore. Këto kushtëzime rregullatore janë shkaktuar nga agjencitë e vlerësimit të kreditit si “Moody’s” dhe “Standard & Poor’s”, të cilat kanë ulur vlerësimin për bankat europiane që kanë tepër tituj borxhesh sovrane në bilancet e tyre. Shqipëria po vuan kështu nga disa ngjarje që nuk lidhen me kushtet ekonomike të saj.

Vendimi i bankave për të kufizuar peshën e titujve të borxhit shqiptar në bilancet e veta vlerësohet se ka edhe mungesë etike. Depozitat e shqiptarëve në bankat që veprojnë në Shqipëri, po nuk po investohen me qëllim që të përmirësohet bilanci i përgjithshëm i një grupi bankar europian në vend që të vendosen në dispozicion të ekonomisë që i ka gjeneruar këto depozita.

Qeveria shqiptare ka aktualisht rreth 440 miliardë lekë borxh publik. Në rast se ulja e interesit bazë nga BSH do të pasqyrohej në rënie të kostos së borxhit publik, qeveria mund të kursente disa milionë euro interesa.

Nga ana tjetër, alternativa e qeverisë për t’iu drejtuar depozituesve përmes një fushate reklame për blerjet e bonove të thesarit, mund ta përballë qeverinë me besueshmërinë e vet. Ministria e Financave mund t’i kërkojë shqiptarëve të investojnë kursimet e tyre drejtpërsëdrejti te borxhi publik pa garancinë e emrave të mëdhenj të bankingut ndërkombëtar, por nuk është e sigurt se shqiptarët do të binden se paratë e tyre nuk do të humbasin vlerën që kanë aktualisht.

Nga ana tjetër, mbajtja në nivel të lartë e interesave të bonove të thesarit, mban lart edhe interesat e një pjese të kredive në lekë, të cilat janë të lidhura me interesat e bonove. Kjo pasojë indirekte zvogëlon edhe më tej efektin e vendimit të BSH-së për uljen e interesit bazë, me qëllim rritjen e kreditimit dhe rigjallërimin e ekonomisë.

Top Channel