“Albpetrol” në prag privatizimi

15/02/2012 08:40

Kompania private që do të blejë shoqërinë shtetërore të naftës, “Albpetrol” duhet të ketë parasysh faktin se periudha e licencës për kërkimin e karburantit nuk do të jetë e përhershme, sikurse ishte parashikuar në ligjin e mëparshëm.

Kufizimi vjen në kuadër të privatizimit dhe parashikon ndryshime të rëndësishme në menaxhimin e burimeve publike të naftës, publikon gazeta ‘Shqip’. Tjetër projektligj parashikon rritjen e taksave, nga sistemi aktual, që aplikohej në varësi të prodhimit.

Nëse nga njëra anë është vlerësuar e nevojshme të ruhen të drejtat e “Albpetrol”-it, që vijnë nga marrëveshjet e hidrokarbureve të lidhura me shoqëri të treta, nga ana tjetër janë propozuar kufizimet e domosdoshme të këtyre të drejtave në kohë. Marrëveshja “Albpetrol”, e datës 26 korrik 1993, që autorizon kryerjen e operacioneve hidrokarbure në vendburimet e përcaktuara në VKM, për shkak të cilësisë së saj si “marrëveshje hidrokarbure e një lloji të veçantë” nuk përcakton asnjë afat për kryerjen e këtyre operacioneve nga shoqëria shtetërore e naftës.

Ndryshimet në ligj kanë për qëllim vendosjen e afateve për aktivitetin e kërkimit, prodhimit dhe tregtimit të shoqërisë private “Albpetrol”, kështu që në këto kushte, kjo shoqëri do të trajtohet në tregun e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve në të njëjtën mënyrë si subjektet e tjera private në këtë fushë. “Për zonat ku shoqëria kryen e vetme operacionet e hidrokarbureve, vendoset afati maksimal 25 vjet”, propozon Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë.

Investitori i “Albpetrol” nuk do të përfitojë as lehtësirat e paketës fiskale. Kur kompania ishte pronë e shtetit, taksat që paguante nuk ishin fikse, 50 për qind, sikurse paguanin shoqëritë e tjera, por varionte sipas prodhimit, duke filluar nga 30 për qind, për sasi deri në 20 mijë fuçi në ditë, 50 për qind për sasi deri në 50 mijë fuçi në ditë dhe 55 për qind për fuçi të prodhuara në ditë nga 50 mijë deri në 60 mijë.

“Pas privatizimit, shoqëria duhet të paguajë çdo vit fiskal tatimin mbi fitimin e realizuar në masën e 50 përqindëshit, ashtu si parashikohet për të gjitha subjektet e tjera private në fushën e hidrokarbureve”, thotë ministria. Privatizimi i ndërmarrjes pritet të mbyllet brenda këtij viti në masën 100 për qind dhe se vlera e aseteve llogaritet në rreth 450 milionë dollarë.

Top Channel