Moti i keq, 13 komuna ndërpresin mësimin

13/02/2012 00:00

13 komuna në jug e jug-lindje të vendit kanë pezulluar të hënën mësimin në shkolla si pasojë e situatës së rëndë të krijuar nga reshjet e borës të rëna gjatë këtyre ditëve.

Të detyruar nga kushtet e motit, përvec zonave tashmë të bllokuara në qarqet e Dibrës, Kukësit, Malësisë së Madhe, Hasit, Tropojës, Pukës dhe Bulqizës, zyrat arsimore rajonale në disa zona të jug-lindjes kanë urdhëruar ndërprerjen e zhvillimit të mësimit në shkolla.

Ministria e Arsimit në njoftimin zyrtar për mediat bëri të ditur se sipas informacioneve që janë marrë nga zyra arsimore rajonale e Librazhdit,  nuk zhvillohet mësim në komunat Orenj, Lunik, Rajcë dhe komuna Qendër.

Zyra arsimore e  Matit ka vendosur të pezullojë mësimin në komunat Xibër, Suç, Kurdari, Komsi (Frang) dhe Rukaj ( një shkollë).

Drejtoria rajonale arsimore e Korcës dhe zyra arsimore e  Kolonjës, Pogradecit e Devolli ka njoftuar se mësimi ka filluar në shkollat dhe qendrat që nuk kanë probleme me transportin.

Zyra arsimore e  Devollit ka njoftuar se  mësimi nuk zhvillohet vetëm në Arzë dhe Vidohovë. Ndërsa sipas informacioneve të zyrës arsimore të Pogradecit nuk zhvillohet mësim në komunat Trebinj dhe Proptisht.

Sipas deklarimeve të drejtuesve në këto rrethe, situata po rëndohet për shkak të reshjeve të dendura të ditës së sotme. 

Top Channel