Luarasi i harruar i Petro Ninit

13/02/2012 21:20

Në malet me dëborë ka jetë, edhe atje ku askush nuk kujtohet, askush nuk kthen kokën, atje ku varfëria dhe braktisja po mbysin ëndrrat. Luarasi mbetet atje, hijerëndë, me harresën që kërkon t’i mbysë trashëgiminë shekullore.

Vështirë e dallueshme midis dëborës që ka shtruar që muaj më parë, rruga drejt Luarasit ndalet shpejt për automjetet. Gjithçka është e bllokuar, ndaj e vetmja mënyrë për të vazhduar rrugën drejt fshatit është udhëtimi në këmbë.

Të shpërndara rrëmujshëm mes lagjesh të ndryshme, janë shtëpitë e Luarasit. Në krye qëndron shkolla e fshatit e kah saj, busti i Petro Nini Luarasit, djalit të kësaj toke, sot më së shumti e braktisur nga njerëzit.

Shtëpitë e vetmuara dhe të tjera të lodhura nga koha, mbështeten pas njëra-tjetrës në luftën e epshme për të përballuar motin e acartë.

Në fakt, në Luaras kjo kohë është gjithmonë e tillë. Mungesa e një rruge të mirëfilltë me komunën, edhe në kohë më të mira, i ka bërë banorët e fshatit që të jenë të përgatitur për izolimin, që në Luaras shkon përtej kufinjve të dimrit.

“Ne kemi vuajtje shumë pasi jemi një vend ku nuk është futur makineria”, shprehet Ilir Pasha, një banor i Luarasit. “Traktor e kombanja nuk kemi, na mungojnë shumë kushte të tjera dhe rrjedhimisht, jetojmë me vuajtje. Ne si fshat nuk mbjellim sepse nuk kemi automjete dhe rrugë. Toka qëndron pa punuar. Kush mundet të punojë me kazëm, mirë, të tjerët vetëm mbjellin ndonjë perim apo patate për të mbajtur veten në behar”.

Në këtë fshat të Ersekës gjithçka bëhet me kafshë, si transporti ashtu edhe punimi i tokës dhe kjo jo vetëm në kushtet ekstreme të motit, por gjatë të gjithë vitit. Diku tej të ndryshkura, si relike të një kohe tjetër qëndrojnë pajisjet që në kohën e komunizmit, të tërhequr nga traktorë e kombanja, shërbenin për të punuar tokën.

“As mbjellim, as korrim, jemi komplet zero”, thotë me keqardhje Xhelil Ajazi, edhe ai një “fatkeq” i Luarasit. “Bëjmë ndonjë pako gjë, sa për të mbajtur disi veten tonë. Si bie njeriu ndërmend njeriu për ne në jemi apo s’jemi. Kjo është e vërteta”.

Luarasi, siç thonë edhe banorët, të vetmin burim jetese ka blegtorinë. Kush ka e kush nuk ka, kush më pak e kush më shumë, të gjithë janë kredhur në realitetin e harresës që i është bërë këtij fshati prej vitesh e vitesh.

“Që kur u prish sistemi e deri tani, kështu ka mbetur i gjithë fshati. Jo sepse e them unë, por kështu, pak a shumë njësoj jemi të gjithë”, thekson Zoti Pasha.

Bujarë e të rrahur nga tradita e lashtë kulturore që mbizotëron në këtë fshat, këta banorë mbijetojnë mes vështirësive të shumta ekonomike, që detyrojnë shumicën e familjeve që të shtrëngohen deri në ekstrem.

“Me të kursyer, vetëm kështu ia dalim mbanë”, thotë Pasha. “Kursejmë që tek buka e gojës, pasi ka shkuar kuintali i miellit në 80 mijë lekë. Kursejmë vajin, sheqerin, absolutisht të gjitha. Çfarë të them tjetër”.

Nga shtëpia në shtëpi asgjë nuk ndryshon. Ngjyrat e zbehta shkrihen në bardhësinë e dëborës që ka mbuluar gjithçka.

“Jetojmë në një harresë të tmerrshme dhe të çuditshme për këtë zonë”, thotë Myftar Tare, një banor i tretë i zonës“.

Në rrugicat e ngushta të Luarasit, duket sikur gjen ende gjurmë të historisë, mes shtëpive të mëdha që flasin ende për historinë e lashtë, të largët dhe rrënjët e thella që shtrihen në të. Kudo të ndjek shikimi që bie nga busti i Petroni Ninit, burrit të madh që dha kaq shumë për këtë komb, ashtu si edhe pasardhësit e tij që ditën të ndjekin hapat e rilindasit të helmuar pabesisht në vitin 1911.

Përtej historisë, Luarasi ka ndryshuar pak, mes varfërisë dhe mjerimit të ulur këmbëkryq në sofrat e këtij fshati.

Përtej nostalgjisë, realiteti ka një tjetër formë të çrregullt nga mungesa e investimeve, që këtu janë po aq të hershme sa edhe parmëndat e drurit, me të cilat punohet toka e kësaj ane.

“Me se të punosh, me gomar?”, pyet Shëndët Meçe, edhe ai banor i Luarasit. “Ja, kam unë një gomar, por të vini dhe të punoni nëse mundeni me gomar e të korrni tokën me dorë. Prandaj dhe kemi ngelur kështu, me tokën bujqësore që se punojmë. Që nga viti 1990 dhe deri më sot 2012, këtu është një hajdutllëk që nuk ka më se ku të vejë”.

Largohemi në këmbë siç erdhëm, me natën që nis të bjerë mbi fshatin e bllokuara ngah dëbora. Pas mes malesh, në Luarasin e harruar, ka ende jetë.

Top Channel