Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike,
kryeministri Sali Berisha tregoi për masat që po merren për përballimin e
situatës së vështirë nga moti i keq.

Kryeministri sugjeroi që një nga punët e para që duhet bërë do të jetë pastrimi i cative të shtëpive nga dëbora, për shkak se në disa zona catitë janë shkatërruar.

“Trashësitë e borës janë të mëdha dhe për definicion, potenciali i ortekëve është i madh. Por përveç ortekëve, një rrezik tjetër serioz në zonat me mbi 1 metër dëborë, janë çatitë, shembja e të cilave nga dëbora krijon fatkeqësi të vërtetë për ato familje. Ndaj edhe në emër të qeverisë, duke u shprehur solidaritetin më të madh banorëve të zonave me reshje të mëdha dëbore, u bëj gjithashtu thirrje qeverive vendore, që, në mënyrë të programuar, të bëjnë gjithçka për të parandaluar çdo kërcënim e humbje jete të qytetarëve në komunitetet e tyre, duke shmangur rreziqet më eminente, siç është dhe shembja e çative nga sasia e madhe e dëborës. Sigurisht, nuk po them asgjë të re për banorët e këtyre zonave, por po e theksoj këtë sepse ka jo pak familje të cilat vetë nuk kanë mundësi të kryejnë shërbimet e duhura në këto rrethana. Ndaj është në tagrin, në dinjitetin, nderin, detyrën e qeverive vendore, e kryepleqve, të organizojnë punën, në mënyrë që në këtë situatë të mos kemi familje në kërcënim”, tha Berisha.

Top Channel