Berisha në Kukës: Gjendje e jashtëzakonshme

12/02/2012 15:00

Për të parë nga afër situatën e krijuar nga moti i keq, kryeministri Sali Berisha sëbashku me 6 ministra kanë mbërritur në qarkun e Kukësit.

Në ambientet e prefekturës kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me shtabin e emergjecave nga ku ka lavdëruar punën e këtij shtabi duke kërkuar solidaritetin e të gjithë qytetarëve.

“Mendoj se në këtë situatë do të propozoj të shpallet gjendja e emergjencës në zonën veri-lindore dhe jug-lindore sepse mobilizime më të mëdha mjetesh dhe fondesh janë të nevojshme dhe këto mund të bëhen në kuadër të kësaj gjendjeje. Më shumë se gjysma e territorit të vendit është në gjendje të vështirë”, theksoi Berisha.

Zoti Berisha tha se qeveria i  ka të gjitha fondet dhe do të kryejë lëvrimin e tyre për ti ardhur në ndihmë banorëve të izoluar dhe zhbllokimin e rrugëve nga dëbora. Gjithashtu kryeministri Berisha ka  folur edhe për hapat e mëtejshëm që planifikon të marrë qeveria për t’i bërë ballë kësaj situate.

E ndërsa kryeministri Berisha ishte në Kukës, kreu opozitës Edi Rama nëpërmjet postimeve në Twitter thotë se “Deklarimet e kryeministrit në veri për fonde për banorët, kopje e premtimeve për Shkodrën e përmbytur: Askush s’është ndimuar me fonde ende sot!”

Në një tjetër mesazh drejtuar kryeministrit, Rama shkruan se “Kryeministri mund të gënjejë për ngricën që ka bllokuar ekonominë, po s’mund të fshehë dot dëborën që ka bllokuar Veriun e gjunjëzuar tërësisht shtetin”.

Rama e cilëson qeverinë në mesazhin e tretë për këtë çështje si të pafuqishme për tu përballuar me emergjenca, pasi sipas tij arka e shtetit është bosh kurse shteti është rrënuar në moral e në profesionalizëm.

Top Channel