Zgjedhja e presidentit, pse Berisha kundër ndërkombëtarëve

11/02/2012 00:00

Andrea Stefani – Aleksandër Arvizu, ambasadori i SHBA në Tiranë, ka ritheksuar nevojën e
zgjedhjes së një Presidenti që do të dalë nga konsultimet aktive mes
palëve kryesore.

 Një prononcim që nuk është fort larg atij për një President konsensual të shprehur nga përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë. Por një pozicionim që është i kundërt, në thelb, me atë të mbajtur nga Kryeministri Berisha, që këmbëngul për të zgjedhur një President duke respektuar “…pikë për pikë Kushtetutën”. Dhe mos vallë ndërkombëtarët, bashkë me ambasadorin Arvizu, po sugjerojnë të shkelet Kushtetuta, ndërsa Berisha këmbëngul ta mbrojë atë? Një analizë më thelbësore e qëndrimeve të palëve na bind se nuk është kështu, madje se është fare e kundërta. Janë ndërkombëtarët që, në këtë rast, këmbëngulin për respektimin e Kushtetutës dhe Berisha ai që tenton dhunimin e frymës së saj.

* * *

Debati politik për mënyrën si duhet zgjedhur Presidenti i Republikës është një tjetër shans për të kuptuar më qartë se kush nga palët aspiron demokraci liberale dhe kush një demokraturë apo një sistem autokratik të trukuar me demokraci, kush aspiron europianizim dhe perëndimorëzim të Shqipërisë me fjalë dhe me vepra, dhe kush integrim me Europën me fjalë dhe autokratizëm me vepra. Duke abstraguar për një moment nga aleatët e dy partive të mëdha, mund të themi se palët e këtij debati janë tre: PD, PS dhe ndërkombëtarët. Të tre këta aktorë kanë bërë në të kaluarën gabime që i kanë kushtuar dhe do t’i kushtojnë shtrenjtë demokracisë liberale në Shqipëri. Ne nuk do të ngecnim sot në debatin për mënyrën si duhet zgjedhur Presidenti nëse këta aktorë nuk do kishin kontribuar së bashku në deformimin e rëndë të Kushtetutës, me disa amendime të kryera në prill 2008. Por sot pozicionimi i tyre është i qartë: ndërkombëtarët dhe PS kërkojnë zgjedhjen e një Presidenti me bisedime, konsensus ose me bashkëpëlqim. Ndërkohë, Kryeministri Berisha dhe PD këmbëngulin për zgjedhje “sipas Kushtetutës”. Shkaku i diferencës apo kundërshtimit është i qartë: ndërkombëtarët dhe PS janë për një President që do të kontribuonte në zbatimin e parimit, themelor për demokracinë liberale, të ndarjes së pushteteve. Në të kundërt Berisha, që nuk mund të heqë dorë nga gjakimi i tij autokratik, këmbëngul për një President që do të jetë i komanduar nga ai dhe që do shërbente jo për ndarjen dhe baraspeshimin e pushteteve, por për të kundërtën, për përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit Berisha.

* * *

Berisha ka zgjedhur taktikën që lakminë e tij prej autokrati ta maskojë me “respektimin e Kushtetutës”. Për këtë ai shfrytëzon mundësinë, krijuar pas amendimeve të 21 prillit, që në raundin e katërt dhe të pestë të procesit të votimit ta zgjedhë Presidentin e Republikës edhe me vetëm 71 votat e shumicës së tij. Por një gjë e tillë, ndonëse në pamje të parë duket sikur respekton Kushtetutën, në fakt e dhunon frymën e Kushtetutës. Sepse rrezikon seriozisht ndarjen e pushteteve. Dhe ndarja e pushteteve mbetet një nga parimet themelore të Kushtetutës, edhe pas deformimit që asaj i është bërë me amendimet e 21 prillit. Në nenin 7 të Kushtetutës flitet për një parim qeverisjeje që bazohet në “ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Dhe nuk do aspak mend të kuptohet se një President i zgjedhur vetëm me votat e shumicës berishiste do t’i shërbente jo frymës së Kushtetutës për ndarjen e pushteteve, por dhunimit të kësaj fryme dhe një përqendrimi autokratik të pushteteve në duart e Berishës.

* * *

Por mos vallë zgjedhja me bashkëpëlqim e Presidentit dhe shmangia e zgjedhjes së tij vetëm me 71 vota nga shumica, cenon Kushtetutën? Aspak! Sepse edhe kështu e deformuar pas 21 prillit 2008, Kushtetuta bën thirrje për një President të pranuar nga të gjitha palët dhe jo vetëm nga shumica. Jo rastësisht janë tre raunde ku ai duhet të zgjidhet me 3/5 e deputetëve. Dy raundet e fundit, ku Presidenti mund të zgjidhet edhe me vetëm 71 votat e shumicës, janë hartuar të hyjnë në veprim vetëm për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Por nëse ndodh një gjë e tillë, shmangia e zgjedhjeve të parakohshme do të sakrifikonte parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve që është parim themelor i qeverisjes me po këtë Kushtetutë. Pra, ndonëse Parlamenti do zbatonte Kushtetutën “pikë për pikë”, në fakt do ta dhunonte frymën e saj, duke shtuar shanset për një përqendrim pushtetesh në një dorë të vetme. Edhe deklarata e ambasadorit Arvizu mbi rolin kyç që ka Presidenti për zgjedhjen e krerëve të institucioneve shtetërore si Kryeprokurorin apo kreun e SHISH-it, përmban në vetvete shqetësimin që zgjedhja e kreut të shtetit, duhet t’i shërbejë pikërisht forcimit të pavarësisë dhe jo varësisë së institucioneve. Një vijë demarkacioni që po theksohet përditë e më shumë mes Berishës nga njëra anë dhe ndërkombëtarëve në anën tjetër. Si i bëhet që Presidenti të zgjidhet me bashkëpëlqim të një shumice të patën prej 3/5 në tre raundet e para të votimit pa shkuar fare në zonën e rrezikut ku shumica e thjeshtë e shumicës mund të zgjedhë një president të shumicës? Nëse Berisha dhe PD do të kishin qëllim një Presidenti që do t’i shërbente ndarjes dha balancimit të pushteteve, atëherë çështja do të ishte e zgjidhur. Ne do të kishim një President të të gjithëve, ndoshta që në raundin e parë të votimit. Por autokrati Berisha nuk e ka një qëllim të tillë. Prandaj zgjedhja e një Presidenti berishist, “duke respektuar pikë për pikë Kushtetutën”, mund të shmangej vetëm nga presioni ndërkombëtar mbi Berishën.

Gazeta “Shqip”

Top Channel