Partia Socialiste organizoi Tryezën për Rendin dhe Sigurinë Publike, nga
ku kreu opozitës Edi Rama, u shpreh se shteti e ka humbur betejën me
krimin.

“Në Shqipëri po ndodh sot diçka jashtëzakonisht alarmante. Mjafton të hapësh çdo ditë televizorin e gazetat për të parë e lexuar, se krimi po kthehet me prepotencë të frikshme në një makth shoqëror e individual për qytetarët e Shqipërisë. Vrasjet, shpërthimet me eksploziv, grabitjet me armë në dorë, vjedhjet e pasurisë së qytetarëve, janë kthyer në lajme që faktikisht s’përbëjnë më asnjë lajm”, tha Rama.

Rama ka premtuar zero tolerancë për krimin, duke u angazhuar për një qeverisje ndryshe.

“Kjo do të thotë se në radhë të parë do të sillemi ndryshe me Kushtetutën, me institucionet, me opozitën, me qytetarët e me komunitetet. Do të sillemi ndryshe me ligjin e me drejtësinë edhe nëse korrupsioni do të prekë këdoqoftë ndër përfaqësuesit tanë. Do të sillemi ndryshe pa asnjë dyshim edhe me krimin e me shkaqet e tij. Kjo është një luftë që sot po e fiton krimi, ndërsa nesër do ta fitojë shteti. Unë e di si fitohet kjo luftë dhe jam i bindur se ka vetëm një rrugë: Të palëkundur kundër krimit, të palëkundur kundër shkaqeve të krimit”, tha Rama.

Ish-drejtuesi i Policise se Shtetit, Pjerin Ndreu, permes grafikeve tregoi kurben e rritjes se kriminalitetit, që sipas tij ka patur një rritje të frikshme.

Top Channel