Kompania e Shpërndarjes së Energjisë elektrike, CEZ është nën hetim nga
njësia Task-Forcë, e dyshuar për mbifaturim të energjisë elektrike dhe
manipulim të treguesve, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme
financiare shtetit dhe qytetarëve.

Top Channel ka mundur të sigurojë kallëzimin e depozituar në Prokurori të bërë nga një qytetar, i cili duket se e njeh me detaje mënyrën, se si funksionon nga brenda kompanica CEZ.Ky kallëzim mbështetet mbi 6 fakte dhe argumenta kryesorë.

Fakti i parë

Sipas denoncimit të bërë vetëm në muajin janar të vitit 2011, vetëm përmes fidrit 330 në Tiranë, KESH-i i ka shitur CEZ-it 2.886.000 mijë kilovatë energji elektrike, por nga faturimet e CEZ-it rezulton sikur është konsumuar 3.940.413 kilovatë energjie. Pra 1 milion kilovatë më shumë se sa në fakt CEZ ka blerë.Edhe në muajin mars të vitit të kaluar,- fakton denoncuesi,- përmes të njëjtit fidër, CEZ-i ka blerë nga KESH-i 2.458.000 kilovat energji elektrike, por rezulton se ka faturuar si konsum 302.981 kilovatë më shumë.

Në bazë të këtyre fakteve rezulton se vetëm për këto 2 muaj, CEZ-i ka mbifaturuar për qytetarët dhe institucionet 1. 357.394 kilovatorë energjie më shumë se sa ka blerë nga KESH-i.Nëse cmimi i shitjes llogaritet minimal, vetëm 7.5 lekë, sipas kallëzimit, rezulton që CEZ-i ka përfituar padrejtësisht nga mbifaturimi mbi 10 milionë lekë të reja.

Të njëjtin shembull, denoncuesi jep edhe për nënstacionin e Selitës në Tiranë, ku sipas të dhënave rezulton se CEZ-i ka mbifaturuar të paktën në muajin janar, një shifër të konsiderueshme mbi 8 milionë kilovatë, ose 186 milionë lekë të reja më shumë se sa është furnizuar. Sipas kallëzimit, që tashmë përbën edhe bazën e hetimit nga Task-Forcë, këtë mbifaturim të qëllimshëm CEZ-i e realizon duke ndërhyrë vetë gjatë kolaudimit të aparateve matës, për të rritur artificialisht konsumin. Të gjitha këto fakte denoncuesi i shoqëron edhe me një listë emërore të konsumatorëve, të cilët janë mbifaturuar qëllimisht nga CEZ-i.

Fakti i dytë

Sipas kallëzimit, kompania CEZ ka rritur në mënyrë fiktive dhe gjobat ndaj konsumatorëve dhe motivin e ndërhyrjes në matësat elektrikë dhe për të cilat klienti nuk vihet në dijeni. Gjobat thuhet ne kallezim jane 3 mije deri ne 20 mije kilovatore. Sipas denoncuesit ky mekanizëm përdoret për të rritur në mënyrë artificiale masën e dëmit, që i shkaktohet kompanisë e për të cilat CEZ-i kërkon më pas kompensim nga shteti ose në të kundërt bën presion për rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Fakti i tretë

Sipas kallëzimit, CEZ-i e rrit artificialisht masën e dëmit që i shkaktohet nga mospagimi i faturave edhe përmes kontratave provizore, të cilat janë të paligjshme. Denoncuesi thotë se CEZ-i sajon kontrata provizore, në emër të qytetarëve të ndryshëm, të cilët nuk janë në dijeni të faktit, ose nuk ekzistojnë dhe më pas këto fatura i shoqërohen automatikisht edhe me gjoba. Vetëm në muajin tetor të vitit 2011, sipas kallëzimit janë hapur 12 mijë kontrata të tilla provizore. Kjo rritje artificiale e numrit të konsumatorëve,- thuhet në kallëzim, – i shërben CEZ-it për të justifikuar marrjen e energjisë nga KESH-i me çmim të ulët dhe jo me çmim tregu.

Ndërkohë që përmes këtij mashtrimi,- thuhet në kallëzim,- CEZ argumenton uljen e humbjeve në rrjet duke justifikuar edhe moskryerjen e investimeve.

Fakti i katërt

Në kallëzim thuhet se CEZ-i vjedh edhe përmes abonentëve, që nuk arrijnë të paguajnë brenda muajit faturën e energjisë. Denoncuesi thotë se abonentit nuk i ndërpritet, por i jepen 6 muaj kohë me qëllim që mbi të aplikohen kamatvonesa prej 0.5 për qind e faturës në ditë. Kur vlera dyfishohet,- thuhet në kallëzim,- CEZ-i i bën presion konsumatorit të paguajë menjëherë gjysmën e saj dhe pjesën tjetër, të ndarë në muaj.

Fakti i pestë

Në kallëzim thuhet se një tjetër metodë abuzimi nga CEZ-i është selektimi i abonentëve, për të parë kalimin e kufirit të konsumit 300 kilovatorë, për të cilin paguhet çmim më i ulët. Sipas denoncuesit, CEZ e realizon këtë duke e mbyllur faturën mujore të konsumit, herë me një 25 ditë dhe herë me 35 ditë.

Fakti i gjashtë

Në kallëzim thuhet se CEZ vjedh shtetin edhe duke manipuluar me inventarin e materialeve të konsumit që ka kompania, të tilla, si tela, kabllo etj. Për ta argumentuar këtë fakt, denoncuesi merr një shembull. Sipas tij, një metër kabëll i blerë para disa vitesh ka patur cmimin 1200 lekë, ndërsa aktualisht ai kushton 4400 lekë metri. CEZ-i,- thotë denoncuesi, – ka urdhëruar që magazinat të boshatisen me pretendimin, se ky kabell 80 kilometra e gjatë, ka dalë jashtë përdorimit për t’u blerë sërish i njëjti material, në mënyrë fiktive me çmim të rritur.

Top Channel