Panik për bllokimin e projekteve publike

09/02/2012 08:30

Mundësia se buxheti mund të shkurtohet për nevojat e blerjes së energjisë elektrike po shqetëson së tepërmi firmat e ndërtimit të projekteve publike.

Sipas gazetës “Shqip”, buxheti aktualisht është rreth 4 miliardë dollarë, ndërsa investimet afro 700 milionë dollarë dhe plani për reduktimin e fondeve në disa ministri po shikohet si skenar i realizueshëm.

Mësohet se Kryeministri ka urdhëruar ministrat të rishikojnë buxhetet, pa përjashtim, në mënyrë që të krijohen fonde të posaçme për KESH-in. Plani i shkurtimit prek edhe investimet, për pasojë sipërmarrja private ndjehet e kërcënuar.

Gjithnjë e më tepër ndërtuesit ndiejnë pasojat e krizës së borxheve, të shkaktuara si fillim nga mungesa e likuidimeve në kohë nga ana e thesarit në ministri.

Mendohet që investimet mund të ngrijnë në masën e 30% dhe se thesari nuk do t’i përgjigjet në kohë shlyerjes së faturave. Ndërtues të ndryshëm shprehen se kanë kryer volume pune të konsiderueshme, por nuk janë paguar.

Nuk ka ende një shifër zyrtare se sa është borxhi, por nga Shoqata e Ndërtuesve është përllogaritur vlera e rreth 8 miliardë lekëve.

Ministria e Transporteve mohon të ketë detyrime te firmat private, kurse Ministria e Financave thotë se çdo kërkesë e Drejtorisë së Rrugëve për fonde është ekzekutuar në kohë të shpejtë.

Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) ra me rreth 7.2 pikë përqindjeje në tremujorin e katërt të vitit 2011. Gjatë vitit 2011 vihet re një përkeqësim i vazhdueshëm i besimit në ndërtim, duke shënuar në tremujorin e fundit të vitit vlerën më të ulët historike, -26.2%.

Bizneset në sektorin e ndërtimit kanë vijuar të vlerësojnë negativisht kërkesën dhe situatën e prodhimit. Ndërkohë që aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2011 pati rënie me 1.7% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit te shkuar.

Top Channel