Ngrijnë rrugët e gazit drejt Shqipërisë

09/02/2012 08:00

Prej një jave, importuesit shqiptarë të gazit të lëngshëm kanë vështirësi në sigurimin e mallit, pasi një pjesë e anijeve nuk lundrojnë për shkak të motit.

“Mjetet tona të transportit janë bllokuar në detin Azov, që ndodhet mes Rusisë dhe Ukrainës, për shkak se ka ngrirë pothuajse i tëri, madje edhe një pjesë e Detit të Zi, duke e bërë të pakalueshëm gazin. Ky problem zgjat prej ditësh dhe deri në zhbllokimin e situatës do të duhet të paktën edhe një javë, deri në mbërritjen e sasisë”, shprehen për gazetën “Shqip” disa importues me peshë në tregun vendas.

Sipas tyre, ndikimin e motit po e ndiejnë edhe vendet e tjera, të cilat kanë rritur kërkesën për gaz, kurse Rusia dhe Ukraina kanë tkurrur ofertën.

Ngërçi i shkaktuar nga moti i keq ka prishur linjën normale të transportit dhe tashmë tregtarët janë lëshuar nga të katër anët për të kërkuar gaz nga të munden, duke mos pyetur më as për çmimin.

“Në fillim të muajit janar, sipas bursave, një ton gaz i lëngshëm kushton afro 900 dollarë, ndërsa sot (dje) është rreth 1100 dollarë. Tendenca duket se do të vijojë me rritje, pasi Europa ka shtuar kërkesën me 30 për qind, ndërsa vendet eksportuese e kanë të pamundur t’i përgjigjen. Vërehet se edhe kursi i këmbimit po ecën ‘kundra’ nesh, me një rritje të dollarit, ndërsa nafta bruto pritet të pësojë shtrenjtim. Të gjitha këto elemente nuk sjellin gjë tjetër vetëm shtrenjtim të gazit, i cili është kthyer në mall të kërkuar nga të gjithë”, thonë tregtarët.

Në këto kushte, një bombol gazi 10 kg pritet të kushtojë shumë shpejt 1700 lekë, nga 1500 lekë që vlen aktualisht, por ky është vetëm njëri efekt negativ, pasi tregu mund të ndiejë mungesën e gazit për shkak të sasive të limituara. Kjo situatë mund të vijojë për 3-4 muaj.

Top Channel