INSTAT shkel ligjin sërish

09/02/2012 00:00

Instituti i Statistikave po sfidon të gjitha afatet zyrtare për
publikimin e treguesve më të rëndësishëm të ekonomisë, duke shkelur
hapur ligjin për të disatën herë.

Sipas kalendarit zyrtar, INSTAT duhet të kishte publikuar në fillim të këtij muaji, shifrën e rritjes ekonomike për tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Top Channel ju drejtua zyrtarisht Institutit të Statistikave mbi shkaqet e vonesave, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Por shifra e Prodhimit Kombëtar nuk është treguesi i vetëm që INSTAT mban peng. Indeksi i tregtisë me pakicë për tremujorin e tretë, një tregues mjaft i rëndësishëm që mat shitjet dhe qarkullimin e mallrave në ekonomi, sipas kalendarit duhet të ishte i disponueshëm për publikun në dhjetor të vitit të kaluar.

Kanë kaluar më shumë se dy muaj dhe ende nuk ka asnjë të dhënë se cfarë ka ndodhur me konsumin, përvec shifrave që deklaron kryeministri në mbledhjen e grupit parlamentar. INSTAT mban peng treguesit më jetik për ekonominë, mbi të cilët ndërtohen politikat dhe vendimmarrja qeverisëse, por edhe biznesit, pa dhënë ndonjë shpjegim publik.

Madje kjo po shndërrohet në një praktikë tashmë. Vitin e kaluar ky institucion theu çdo rekord, kur vonoi publikimin e rezulatit per Prodhimit Kombëtar për tremujorin e dytë, nën argumentin e cuditshëm se tatimet nuk i ofronin të dhënat, edhe pse kjo u hodh poshtë disa herë madje edhe nga Ministria e Financave.  

Pas afro tre muaj vonesë, rritja ekonomike e tremujorit të dytë u publikua gati tinëz pikërisht natën e Vitit të Ri dhe shifra e saj prej 0.5 për qind ndoshta shpjegonte dhe vonesën. Statistikat e besueshme dhe në kohë, janë mese te rendesishme për ekonominë dhe INSTAT është prodhuesi kryesor i tyre. Ndaj vitet e fundit paratë që qeveria merr nga taksapaguesit për të paguar vetëm pagat dhe kontributet e punonjësve të INSTAT-it janë rritur me ritme të larta.

Por ky institucion i cili shume shpejt pritet te vihet ne varesi te drejtperdrejte te  kryeministrit, jo vetem qe po prodhon shifra shpesh here te kontestuara por edhe tashme edhe  me shkelje ligjore.

Top Channel