Fondi i parë i Investimeve në Shqipëri

08/02/2012 00:00

Në Shqipëri është krijuar kompania e parë financiare për menaxhimin e
aseteve. Pjesë e grupit ‘Raiffeisen’, kjo kompani përfshin edhe fondin e
parë të investimeve në Shqipëri.

“‘Fondi Raiffeisen Prestigj’ i jep mundesine klienteve te investojne ne letrat me vlere te Qeverise shqiptare. Ai perfshin investime ne bono thesari, obligacione dhe depozita, duke filluar me nje shume prej vetem 5,000 lekë”,tha drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank, Christian Canacaris.

Ministri i Financave Ridvan Bode tha se veç hedhjes së produkteve të reja financiare në tregun shqiptar, Fondi i Investimeve është një metodë që zbut pasojat negative nga kufizimet që ka vendosur Bashkimi Europian ndaj bankave.

“Ky përbën një artificë, për të bypass-uar rritjen e kufizimeve administrative burokratike, që një sërë bankash po i bëjnë kursimeve të qytetarëve. Sistemi ynë bankar nuk mund të shërbejë për të kompensuar deficensa të sistemeve analoge të investitorëve që kanë investuar në Shqipëri, në vende të tjera. Ky përbën një sistem të gjetur për të mënjanuar këtë bllokim”, tha Bode.

Ndërsa guvernatori Ardian Fullani theksoi se produktet e reja janë tregues i zhvillimit të tregut financiar në vend. Përmes Fondit të Investimeve një qytetetar mund të blejë letra me vlerë të qeverisë duke nisur nga 5 mijë lekë, kur aktualisht shuma e detyrueshme për investime është disa herë më e lartë. Paralelisht fondet e investimeve janë më fleksibël dhe u lejojnë qytetarëve që t’i shesin edhe para afatit ligjor letrat me vlerë pa humbur asnjë ditë interes.  

 

Top Channel