BB akordon 25 nga 300 milionë USD të premtuara

08/02/2012 08:00

Banka Botërore dhe qeveria shqiptare kanë rënë dakord për rritjen e përmasave të projektit për Modernizimin e Ndihmës Ekonomike nga 25 në 50 milionë dollarë, por bisedimet vijojnë për pjesën tjetër të ndihmës së premtuar që mund të arrijë deri në 300 milionë dollarë, njoftoi dje zyra e BB në Tiranë.

Sipas gazetës ‘Shqip’, duke e konsideruar këtë marrëveshje si “hapi i parë”, Banka njofton gjithashtu se bisedimet vijojnë për të përcaktuar kohën dhe përmasat e reformave, si dhe instrumentet e financimit.
 
“Ne jemi duke diskutuar dhe vlerësuar shumë opsione, në termat e kohës dhe përmasave të reformave, si dhe instrumenteve të financimit”, njoftoi Banka Botërore, pasi u pyet nga gazetarët në lidhje me ecurinë e bisedimeve që tashmë kanë zgjatur rreth dy javë. Marrëveshja e arritur i jep Shqipërisë 25 milionë dollarë kredi. Sipas njoftimit, bisedimet finale do të kryhen në mes të janarit dhe miratimi final nga BB do të kryhet nga fundi i marsit.

Banka Botërore vendosi tri javë më parë të rrisë fondet e disponueshme për financimin e ekonomive të Europës Lindore, me qëllimin për të lehtësuar krizën në këtë pjesë të kontinentit që mund të dëmtohet rëndë nga recesioni i pritshëm në Eurozonë. Ndonëse nuk ka një shifër zyrtare mbi përmasat e ndihmës, burime të ndryshme thonë se në dispozicion të Shqipërisë janë diku nga 100 në 300 milionë dollarë, të cilat qeveria mund t’i përdorë për të lehtësuar pasojat e krizës. Por Banka Botërore kërkon që fondet e reja të tërhiqen përkundrejt reformave. Qeveria shqiptare është treguar gjithmonë kokëfortë përballë sugjerimeve të ndërkombëtarëve për racionalitet ekonomik.

Buxheti i shtetit i këtij viti u miratua sërish tepër i fryrë dhjetorin e kaluar dhe është e sigurt se do të duhet të rishikohet tani shpejt, duke ulur shpenzimet, por duket se qeveria po pret një periudhë më të përshtatshme për ta kryer këtë punë.

BB e ka bërë të qartë se kërkesat e saj lidhen me “reformat që nxisin rritjen ekonomike, konkurrueshmërinë dhe stabilitetin financiar”.

Këto tri fjalë lidhen ngushtë me nivelin e pagave dhe nivelin e borxhit publik, pasi pagat e larta dhe në rritje, sjellin rënie ose rritje të ngadaltë të produktivitetit, gjë që ul aftësinë konkurruese të mallrave shqiptare. Niveli i borxhit publik rrezikon stabilitetin financiar, pasi huamarrja e lartë e qeverisë ul eficencën e përdorimit të parasë. Qeveria shqiptare nuk parashikon ndonjë përpjekje të madhe të reduktimin e borxhit publik së paku deri në vitin 2015, ndërkohë që vendi është në limite të rrezikshme.

BB ka bërë të ditur më herët se sipas opinionit të saj, sa më e shpejtë të jetë ulja e borxhit publik, aq më mirë do të jetë, por ka refuzuar të konfirmojë se ulja e borxhit përbën një kusht për ndihmën.

Financimet e Bankës Botërore synojnë të ndihmojnë ekonominë e përgjithshme. Nëse jepen, do të shpërndahen në shumë projekte që kanë një numër të madh përfituesish. Përkundër kësaj përqasjeje, qeveria synon t’i përqendrojë shpenzimet në pak projekte, ku numri i përfituesve është i vogël.

Shkurtimi i shpenzimeve për të ulur deficitin dhe borxhin është disi i vështirë për momentin pasi hapësira në dispozicion të qeverisë është tkurrur ndjeshëm. Qeveria i kreu disa shkurtime të shpenzimeve operative vitin e kaluar kur hoqi bonuset për masterat apo pagesat e orëve shtesë për administratën publike dhe shkurtime të mëtejshme bëhen gjithnjë e më të vështira.

Top Channel