Strasburg, fiton Vehbi Alimuça

07/02/2012 19:35

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut shqyrtoi të martën ankesën e shtetasit Vehbi Alimuçaj kundër Shqipërisë, dosje e dorëzuar në Strasburg më 2 Qershor 2005.

Vendimi i trupit gjykues, që kryesohej nga presidenti Nicolas Bratza, kënaq pjesërisht kërkesat e Zotit Alimuçaj, duke detyruar shtetin shqiptar t’i paguajë atij 8000 euro si dhe taksat respektive në valutën vendase, sipas kursit të këmbimit në ditën e vendimit (7 shkurt 2012).

Ish-drejtuesi i kompanisë “Vefa Holding sh.p.k” u arrestua në prill 1998 me akuza të përsëritura mbi skemat mashtruese të huamarrjes. Në 2002, Alimuça u shpall fajtor nga Gjykata e Lartë për mashtrimin ndaj gjithë kreditorëve (57 923 mijë) të kompanisë së tij dhe u dënua me 20 vjet burg.

Por, ai u lirua pas 8 vjetësh, në maj 2010, pasi 11 vite të dënimit të tij u ulën me dy akte amnistie (2002,  2007), 6 muaj falë punës në burg dhe 1 vit iu hoq me faljen presidenciale të 2010-tës.

Meqënëse vuante nga probleme serioze kardiake e neuropsiqike, Alimuçaj ishte ankuar për shërbim jo të duhur mjekësor gjatë vuajtjes së dënimit.

Për këtë çështje, ai i referohej disa neneve në Konventën Europiane për  të drejtat e njeriut, në bazë të së cilave, ankohej dhe për mungesën e parashikueshmërisë ligjore për ndjekjen penale ndaj tij, si dhe për dënimin e dhënë.

Gjykata e Strasburgut rrëzoi shumicën e pretendimeve të Alimuçaj, meqënëse raportet mjekësore të paraqitura dëshmonin keqësimin e situatës për shkak të vijimësisë së sëmundjes tek individi, por pranoi se nuk ishte respektuar neni 7 i Konventës (nuk ka dënim pa ligj), me argumentimin se ndaj aplikuesit ishte imponuar një dënim më i rëndë se ndëshkimet në fuqi gjatë kryerjes së veprës penale.

Ky vendim hyn në fuqi pas tre muajsh, nëse asnjëra palë nuk do të kërkojë rishqyrtim të saj.

Nëse vendimi do të qëndrojë, shteti shqipëtar duhet t’i paguajë 8 mijë euro 63 vjeçarit Alimuçaj brenda një afati 3-mujor, siç përcakton Gjykata Europiane, ndryshe do të imponohet një normë përqindje më e lartë në kreditë që merr shteti shqiptar.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel