Kushtet e Bankës Botërore

07/02/2012 00:00

Negociatat mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për kredinë shtesë
në ndihmë të buxhetit të shtetit nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret.

Banka Botërore ka vendosur në tryezën e qeverisë kushtet e saj në këmbim të kredisë, ku përfshihet një ulje më e fortë e borxhit nga ajo që parashikon qeveria. Pak kohë më parë në Tiranë erdhi për këtë cështje zyrtarja më e lartë e Bankës për Europën Juglindore, drejtoresha Armitixh.

Por edhe pas takimit të saj me kryeministrin nuk u arrit një marrëveshje përfundimtare. Qeveria deri tani është shprehur e vendosur se nuk do të pranojë ulje më të fortë të borxhit nga ajo që ka parashikuar në kuadrin makro-ekonomik, sipas të cilit borxhi në vitin 2014 mbetet mbi 58 për qind e Prodhimit Kombëtar nga 56% që kërkon banka. Sipas parashikimeve të qeverisë, deficit buxhetor për këto tre vjet do të jetë 3 për qind, ndërsa banka botërore kërkon uljen e tij në 2.5 për qind, gjatë këtij viti dhe 2 për qind për 2013-2014-n.

Kostot e një vendimi

Në vitet 2008-2009, për shkak të krizës, por edhe zgjedhjeve, qeveria i rriti shpenzimet e saj në nivelet më të larta duke bere që borxhi publik i vendit, te fillonte te rritej deri ne në 60 për qind të Prodhimit Kombëtar. Për shkak të rrezikut nga shthurja e financave publike, pas vitit 2009, qeveria u detyrua të tërhiqej nga shpenzimet e larta.

Megjithate FMN dhe Banka Botërore kerkojne me shume shkurtime. Sipas tyre Shqipëria ka një borxh të lartë dhe duhet ta ulë me cdo kusht. Por tkurrja e shpenzimeve të qeverisë nuk është pa kosto. Në kushtet kur ekonomia po përballet me rënie të konsumit nga qytetarët, ulja e detyruar e shpenzimeve të qeverisë  po ben arsyen e dyte per te dobesuar me tej rritjen eekonomike.

Për tre vitet e ardhshme, qeveria parashikon që t’i mbajë shpenzimet stabël në nivelin 28.4 për qind. Por Banka Botërore po kërkon që ajo t’i ulë edhe më shumë, duke prekur investimet në infrastrukturë, në këmbim të kredisë me norma të ulëta interesi. Ndaj qeveria tani është para një zgjedhje të vështirë. Të pranojë uljen më të fortë të borxhit ashtu sikur i kërkon banka, apo të mbajë shpenzimet për t’i dhënë sadopak frymemarrje ekonomisë dhe për të patur mundësinë të përfitojë në zgjedhje. Të dyja me kosto.  

Top Channel