Kriza, Shqipëria në rrezik deflacioni

07/02/2012 08:05

Indeksi i Çmimeve të Konsumit pësoi rënie të re gjatë janarit, gjë që e shpie ekonominë shqiptare drejt nivelit të situatës deflacioniste. Instituti i Statistikave njoftoi se çmimet e janarit 2012 qenë vetëm 1.6 për qind më të larta në krahasim me një vit më parë.

Ky është niveli më i ulët i inflacionit i regjistruar në Shqipëri që nga janari i vitit 2009, kur kriza ekonomike dhe financiare botërore sapo pati filluar, shkruan gazeta “Shqip”.

Grupi i ushqimeve shënoi rritje prej 1.4 përqindësh, ku mallrat me kërkesë inelastike shënuan rritjen më të madhe ndërsa mallrat që preken nga rënia e kërkesës, pësuan rënie.

Buka dhe drithërat u shtrenjtuan me 5.6 për qind ndërkohë që zarzavatet qenë 14 për qind më të lira se sa një vit më parë. Në rënie qenë edhe çmimet e veshjeve dhe këpucëve, të cilat kushtuan 2.2 për qind më të lira se sa një vit më parë.

Ndërkohë, mallrat e ndikuara nga niveli i taksave si pijet alkoolike dhe duhani, vijuan të shtrenjtohen me 3.4 për qind në terma vjetorë, edhe pse tashmë nga rritja e akcizave të duhanit është mbushur një vit.

Inflacioni në Shqipëri është rritur me mesatarisht 3.1 për qind gjatë pesë viteve të fundit, duke u luhatur në pjesën më të madhe të kohës nga 2 në 4 për qind.

Ky është rasti i tretë që nga viti 2007 që inflacioni zbret nën 3 për qind dhe në të tria rastet, rritja tepër e ngadaltë e çmimeve ka shënuar edhe ecuri të keqe të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në tremujorin e parë të vitit 2009, Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi rënie me 0.6 për qind dhe kjo rënie u shoqërua me inflacion mesatar prej 1.9 përqindësh.

Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni më i ulët se 2 për qind është negativ për ekonominë dhe se inflacioni më i ulët se 1 për qind duhet të konsiderohet si situatë deflacioniste. Për këtë arsye, objektivi i BSH-së është luhatja e inflacionit mes 2 dhe 4 për qind.

“Shumë studime kanë treguar se ecuria e inflacionit ka një prirje të brendshme statistikore për të regjistruar vlera pozitive. Në realitet, një nivel inflacioni afër 0 mund t’i korrespondojë një situate deflacioniste”, thuhet në dokumentin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Inflacioni i ulët ushtron presion mbi gjendjen financiare të kompanive, të cilat përballë rënies së çmimeve të produkteve që shesin, duhet të menaxhojnë uljen e kostove, gjë që nënkupton paga më të ulëta.

Por ky proces është shumë i vështirë për t’u menaxhuar pa prekur eficencën e prodhimit. Për këtë arsye, deflacioni konsiderohet si një problem shumë më i rëndë se sa inflacioni. Çmimet e ulëta të zarzavateve p.sh., pakësojnë të ardhurat e fermerëve dhe këto të fundit detyrohen të reduktojnë konsumin.

Banka e Shqipërisë e ka ulur interesin bazë të lekut tri herë në pesë muajt e fundit, në përpjekje për të shtuar qarkullimin monetar dhe konsumin, por efektet e kësaj mase vlerësohet se japin ndikim disa muaj me vonesë.

Çmimet e ulëta sugjerojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto po ecën shumë ngadalë këtë periudhë, por sistemi statistikor i vendit nuk siguron dot informacion në kohë të shpejtë.

E dhëna e fundit e disponueshme është ajo për ecurinë e PBB-së për tremujorin e dytë të vitit 2011, e cila fliste për rritje minimale prej 0.5 përqindësh. Të dhënat për tremujorin e tretë pritet të publikohen këtë javë.

Top Channel